Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion në një banesë në Ferizaj, pas informacioneve se aty po qëndronin pesë persona me shtetësi pakistaneze. Sipas Policisë, banesa ishte marrë me qira nga një shtetas shqiptar i Shqipërisë, i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin e “Kontrabandimit me migrantë” .
Gjatë kontrollit në banesë, policia ka gjetur dhe sekuestruar gjashtë pasaporta, shtatë leje qëndrimi të Qipros, një letërnjoftim pakistanez, katër pasaporta të Bangladeshit, një pasaportë të Nepalit, një ID të Nepalit, një patentë shoferi të Pakistanit dhe një çelës veture. Pesë personat e gjetur në banesë janë dërguar në Qendrën e Pritjes në Vranidoll.
Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
