Arben Gashi: Problemi i protestave në Shqipëri është i brendshëm, jo Kosova

0%

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar ndaj pretendimeve se qytetarë nga Kosova kanë ndikuar në protestat në Shqipëri, duke i cilësuar ato si përpjekje për të gjetur fajtorë të jashtëm. Përmes një postimi, Gashi theksoi se protestat masive në Tiranë pasqyrojnë pakënaqësi të brendshme qytetare dhe nuk mund të shpjegohen me praninë e disa qindra personave nga Kosova.

Sipas tij, problemi lidhet me cilësinë e demokracisë, modelin e qeverisjes dhe mungesën e besimit në institucione, ndërsa kërkimi i fajtorëve jashtë vendit vetëm sa shmang debatin mbi shkaqet reale të pakënaqësisë qytetare. Postimi i plotë: Nuk po çuditem me mënyrën se si po kërkohen fajtorë jashtë për protestat. Kur në fakt, problemi është krejtësisht i brendshëm.

Po i shoh zhvillimet politike dhe mediatike në Tiranë dhe më duket se ajo që po ndodh, përtej debatit të ditës, është një sinjal më i thellë i gjendjes së shoqërisë dhe modelit të qeverisjes.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nga raportimet e mediave ndërkombëtare dhe vlerësimet e organizatorëve, në protesta kanë marrë pjesë dhjetëra mijëra qytetarë, ndërsa disa burime flasin për shifra që shkojnë mbi 100 mijë dhe në raste të caktuara deri mbi 200 mijë protestues. Pavarësisht dallimeve në numra, një gjë është e qartë: kemi të bëjmë me një mobilizim masiv qytetar, jo me një fenomen periferik.

Në këtë kontekst, pretendimet se në protesta kanë marrë pjesë rreth 100 makina nga Kosova, që do të nënkuptonin rreth 300–400 qytetarë, duken krejtësisht joproporcionale përballë përmasës së protestës. Edhe nëse kjo shifër do të ishte e saktë – për të cilën kam dyshime serioze – ajo nuk mund të shpjegojë asgjë në raport me dhjetëra apo qindra mijëra qytetarë që dalin në rrugë.

Për më tepër, mbi 3 milion hyrje nga Kosova regjistrohen çdo vit në Shqipëri. Kjo do të thotë se, statistikisht, pothuajse çdo qytetar i Kosovës udhëton në Shqipëri më shumë se një herë në vit. Pra, ata 300–400 vetë në shesh mund të kenë qenë edhe krejtësisht të rastësishëm.

Në këtë realitet, kosovarët janë turistë, konsumatorë, investitorë dhe pjesë e një hapësire të përbashkët ekonomike e shoqërore. Prandaj, është absurde që në momente pakënaqësie qytetare, fokusi të zhvendoset te disa qindra njerëz nga Kosova. Kjo logjikë nuk është e re.

E kemi parë edhe në vitin 1997, kur krizat e brendshme politike dhe institucionale tentoheshin të mbuloheshin me narrativa për fajtorë të jashtëm. Edhe atëherë përmendeshin kosovarët, ndërsa shmangej debati real mbi shtetin dhe qeverisjen. As atëherë dhe as sot problemi nuk është Kosova.

Problemi është krejtësisht i brendshëm: cilësia e demokracisë, modeli i qeverisjes, raporti i shtetit me qytetarin dhe mungesa e besimit në institucionet publike. Kur një shoqëri del në sheshe në këto përmasa, debati nuk mund të reduktohet në disa dhjetëra apo qindra persona nga jashtë. Narrativat që synojnë të krijojnë përçarje mes shqiptarëve nuk i shërbejnë askujt.

Shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë sot kanë një komunikim, ndërvarësi dhe ndërveprim më të madh se kurrë më parë. Ky realitet i bën të tejkaluara përpjekjet për ndarje artificiale apo për kërkim fajtorësh të jashtëm. Në fund, nëse qindra mijëra qytetarë protestojnë, përgjigjja nuk mund të jetë statistikë e vogël për të zhvendosur vëmendjen.

Përgjigjja duhet të jetë reflektim serioz mbi arsyet e pakënaqësisë. Demokracia nuk forcohet duke kërkuar fajtorë imagjinarë, por duke dëgjuar qytetarët dhe duke adresuar shkaqet reale të revoltës së tyre.

Burimi: Bota Sot