Klubi i Vllaznisë ka nisur sot udhëtimin drejt Sllovenisë ku do të zhvillojë fazën përgatitore për ndeshjet e Ligës së Konferencës, ku në turin e parë pret Malisheva. Kuqeblutë, nëpërmjet një njoftimi në rrjete sociale, kanë bërë të ditur se në Slloveni do të zhvillojnë 5 ndeshje miqësore gjatë kësaj periudhe, duke u përballur atje me ekipe me shumë emër në rajon.
“Sot, Vllaznia do të nisë fazën përgatitore verore në Slloveni, në kuadër të përgatitjeve për sezonin 2026-2027. Gjatë qëndrimit në Slloveni, kuqeblutë do të zhvillojnë pesë ndeshje miqësore ndaj kundërshtarëve cilësorë nga Kroacia, Sllovenia dhe Rumania, sfida që do t’i shërbejnë ekipit për të rritur ritmin e garës dhe për të konsoliduar grupin përpara nisjes së sezonit të ri.
Përballjet ndaj skuadrave si NK Lokomotiva Zagreb, NK Olimpija Ljubljana, NK Rudeš, FC Argeș Pitești dhe FC Koper do të jenë një test i rëndësishëm në rrugëtimin drejt objektivave të sezonit të ardhshëm. Punë, sakrificë dhe përkushtim për të përfaqësuar denjësisht ngjyrat kuqeblu. Forca Vllaznia!”, shkruhet në njoftimin e kuqebluve.
