Ish-mesfushori i njohur holandez, Rafael van der Vaart, ka shkaktuar sërish polemika me komentet e tij, kësaj radhe duke vënë në shënjestër kapitenin e Holandës, Virgil van Dijk. Duke komentuar paraqitjen e mbrojtësit në barazimin 2-2 të Holandës ndaj Japonisë në Botërorin 2026, Van der Vaart u shpreh me tone ironike për golin e barazimit të japonezëve.
“Duhet të them se më tronditi ngadalësia e tij kur kthehej. Më kujtoi një Boeing 747 që po manovronte. Shpresoj të fillojë të lëvizë më shpejt”, deklaroi ish-lojtari i Ajaxit dhe Realit. Këto fjalë nuk kaluan pa reagim. Në mbrojtje të Van Dijk-ut doli ish-trajneri i Liverpoolit, Jürgen Klopp, i cili kritikoi ashpër Van der Vaartin.
“Nuk besoj se ia vlen as t’ia përmendësh emrin Rafael Van der Vaart-it. Kur të thotë ndonjëherë diçka pozitive për një futbollist, atëherë do ta marr sërish seriozisht. Kam ndjesinë se ai sheh gjëra dhe i shpreh në mënyrë shumë të ekzagjeruar vetëm për të sulmuar të tjerët. Në çdo rast, kjo nuk ka rëndësi”, deklaroi Klopp. Kjo nuk është hera e parë që Van der Vaart kritikon Van Dijk-un.
Gjatë Kampionatit Evropian 2024 ai e kishte cilësuar paraqitjen e mbrojtësit kundër Austrisë si “një turp” dhe “një katastrofë”, duke e akuzuar gjithashtu për mungesë pasioni dhe shpirt gare. Në atë kohë, Van Dijk reagoi me diplomaci, duke pranuar se skuadra duhej të jepte më shumë në fushë, por duke theksuar se komentet e Van der Vaartit ishin tepër të ashpra.
Polemika e re mes dy figurave të futbollit holandez ka rikthyer debatin rreth mënyrës së komentimit të ish-mesfushorit, i cili vazhdon të jetë një nga analistët më kontroversë në mediet sportive.
