Trajneri Sami Sermaxhaj e ka nisur me fitore aventurën në bankinën e Ballkanit, pasi skuadra nga Suhareka triumfoi 2-0 në udhëtim ndaj Drenicës, në kuadër të javës së tretë të Superligës së Kosovës. Pas ndeshjes, Sermaxhaj ka vlerësuar lart angazhimin e futbollistëve, duke theksuar se skuadra kishte në dispozicion vetëm një stërvitje për t’u përgatitur për këtë përballje.
“Mendoj që çelësi i kësaj fitoreje ishte angazhimi i lojtarëve dhe mënyra se si u mirëkuptuam për idenë tonë kolektive. Nuk ishte aspak e lehtë të përgatiteshim me vetëm një stërvitje, sidomos ndaj një kundërshtari që nuk e njihja shumë mirë, por lojtarët u përgjigjën shumë pozitivisht”, ka deklaruar Sermaxhaj.
Trajneri i Ballkanit ka thënë se kjo fitore është një sinjal i mirë për vazhdimësinë, pavarësisht mungesave me të cilat u përball skuadra. “Kjo fitore është një sinjal i mirë për vazhdimësinë, edhe pse kemi pasur mungesa dhe është dashur të improvizojmë në disa pozita. Ballkani ka krijuar tashmë një mentalitet fitues dhe kjo fitore mbetet pas nesh.
Tashmë fokusi ynë është te kundërshtari i ardhshëm, ku shpresojmë të paraqitemi edhe më mirë dhe të vazhdojmë drejt sukseseve të radhës”, përfundoi Sermaxhaj. Ballkani me këtë fitore ka arkëtuar pikët e plota në udhëtim, ndërsa për Sermaxhajn ky ishte debutimi i parë në krye të skuadrës nga Suhareka.
