Të paktën 27 persona kanë humbur jetën dhe 42 të tjerë janë plagosur, përfshirë katër fëmijë, pas një sulmi me dron rus që shkaktoi zjarr dhe shpërthime të fuqishme në një depo në fshatin Myla, në rajonin e Kievit. Sipas autoriteteve lokale, nga zona janë evakuuar 381 persona , ndërsa zjarri u përhap edhe në disa objekte banimi.
Kreu i Administratës Ushtarake të Rajonit të Kievit, Tymur Tkachenko, tha se sulmi shkaktoi një zjarr në përmasa të mëdha, i cili u shoqërua me shpërthime. “Sulmi shkaktoi një zjarr në shkallë të gjerë. Zjarri u përhap edhe në ndërtesa private të banimit. Zjarret në pesë shtëpi dhe një objekt hotelerie tashmë janë shuar”, tha Tkachenko.
Ekipet e emergjencës dhe shpëtimit po vazhdojnë punën në vendngjarje. Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës ka nisur një hetim paraprak për të verifikuar nëse ka pasur neglizhencë lidhur me kushtet e ruajtjes së materialeve në depo.
Hetimi do të përfshijë edhe ligjshmërinë e vendosjes dhe ruajtjes së materialeve shpërthyese, lejet e nevojshme, si dhe përgjegjësinë e zyrtarëve që kanë marrë vendimet përkatëse. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë një shpërthim të madh, ndërsa një top zjarri ngrihet në qiell gjatë natës.
Sulme edhe në Kherson dhe Kiev Një tjetër person u vra të shtunën nga një sulm me dron rus në Kherson , në jug të Ukrainës. Një 44-vjeçar pësoi gjithashtu lëndime nga shpërthimi dhe plagë nga copëzat e predhës. Dy persona të tjerë u plagosën në një sulm në distriktin Sviatoshynskyi të Kievit.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia kishte lëshuar që nga ora e së premtes 267 dronë , një raketë kundër anijeve Onyx dhe një raketë balistike Iskander. Sipas tyre, mbrojtja ajrore ukrainase kishte rrëzuar ose neutralizuar 233 prej dronëve deri të shtunën në mëngjes.
Sulmet me rreze të gjatë veprimi mes Rusisë dhe Ukrainës janë intensifikuar gjatë muajve të fundit, duke goditur veçanërisht objektet logjistike dhe energjetike. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
