97-vjeçarja Guna Maya Bokhara u nxor e gjallë nga balta dhe mbeturinat në një operacion shpëtimi që u përshkrua si një “mrekulli” pas përmbytjeve vdekjeprurëse në Nepal. Gruaja e moshuar, e cila vuan nga demenca e avancuar, jetonte në një azil pleqsh shtetëror në zonën e Rasovës, shkruan BBC.
Ndërtesa u rrëmbye nga një sasi e madhe uji dhe balte, dhe deri më tani ajo është e vetmja mbijetuese nga azili. Ushtrisë nepaleze dhe ekipeve të shpëtimit iu deshën katër orë për ta liruar, duke përdorur një ekskavator për të hequr me kujdes ton baltë. Gruaja u dërgua në një spital në Katmandu ku po trajtohet.
Stërnipi i saj, i cili udhëtoi për të ndihmuar me operacionin e shpëtimit, tha se imazhi i saj duke dalë nga rrënojat i kujtonte një “luftëtar” që kthehej fitimtar nga beteja.
Ekipet e shpëtimit vazhdojnë përpjekjet e tyre për të gjetur mijëra persona të zhdukur, 2,500 sipas autoriteteve, dhe për të shpëtuar njerëz nga zonat në kufirin midis Nepalit dhe Kinës tre ditë pas përmbytjeve shkatërruese me një numër të përkohshëm të të vdekurve prej 633, nga të cilët 626 në Nepal dhe 7 në Kinë.
