Krahas kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, protestuesit që janë mbledhur para Kryeministrisë kanë drejtuar një tjetër apel ndaj Prokurorisë së Posaçme. Aktivistët kërkojnë që SPAK të ndërmarrë hapa ndaj politikanëve që ata i akuzojnë për korrupsion, duke përmendur mes tyre kryeministrin Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Aktivisti Arben Kola deklaroi se drejtësia duhet të veprojë dhe të mos vonojë hetimet për çështjet që lidhen me korrupsionin. “Thirrja shkon sërish për SPAK-un. Veproni sa më shpejt që të bëni të mundur rrëzimin e kësaj qeverie përmes revolucionit paqësor”, u shpreh Kola.
Ai e cilësoi SPAK-un si një nga institucionet që, sipas tij, duhet të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si po trajtohen dosjet e korrupsionit. “Ju jeni përgjegjësit kryesorë përballë popullit shqiptar për të vepruar, pasi po flini mbi dosjet e korrupsionit”, tha aktivisti.
Kola bëri gjithashtu thirrje që në fillim të shtatorit të ndërmerren veprime ndaj zyrtarëve që ai i konsideron përgjegjës për korrupsion. “Javën e parë të shtatorit, filloni me Edi Ramën, me Belinda Ballukun dhe me çdo politikan të korruptuar”, deklaroi ai.
