Këngëtarja shqiptare Rina Balaj ka reaguar pas protestës së mbajtur sot për 25-vjeçaren Jetlira Foniqi, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj. Përmes disa postimeve në Instagram Story, Rina ka shprehur dhimbjen e saj për familjen e Jetlirës, veçanërisht pasi pa nënën e saj në protestë duke kërkuar drejtësi për të bijën. “Ma këputi shpirtin pamja e nënës së Jetlirës në protestë.
Një nënë që e ka rritur vajzën me gjithë dashurinë e botës dhe tash duhet të dalë në rrugë për të kërkuar drejtësi për të”, është shprehur këngëtarja. Ajo ka theksuar se Jetlira duhej të ishte ende gjallë dhe se dhimbja e një nëne që humb fëmijën e saj është e papërshkrueshme, sidomos kur bëhet fjalë për një vdekje të dyshimtë.
Foto: Rina Balaj/InstaStory Rina ka reaguar edhe ndaj pyetjeve të ndjekësve se përse nuk ishte e pranishme fizikisht në protestë. Sipas saj, solidariteti dhe dhimbja nuk janë të detyruara të dëshmohen përmes pranisë apo fotografive në rrjete sociale.
Ajo ka shpjeguar se prania e një figure publike në një moment të tillë mund të keqinterpretohet dhe të tërheqë vëmendjen larg qëllimit të protestës. “Dita e protestës nuk ishte për mua dhe as për ndonjë figurë publike. Ishte për nënën e Jetlirës, për vajzën e saj dhe për drejtësinë”, ka shkruar Balaj.
Në fund, këngëtarja ka theksuar se mosprania e saj nuk nënkupton mungesë dhimbjeje apo përkrahjeje, duke shtuar se ndonjëherë respekti tregohet pikërisht duke mos e kthyer dhimbjen e dikujt tjetër në spektakël. Ndërkohë, rasti i Jetlira Foniqit vazhdon të jetë nën hetim nga autoritetet. I dyshuari kryesor për rastin, bashkëshorti i saj, kishte ndërruar jetë më 27 gusht.
