​Ndryshimi i planit u solli fat, familja gjermane i shpëtoi

0%

Një ndryshim i papritur i planit të udhëtimit i ka shpëtuar jetën një familjeje gjermane prej katër anëtarësh gjatë përmbytjeve shkatërruese në Nepal.

Manuel Münch, tridhjetë e shtatë vjeç, bashkëshortja e tij nepaleze, tridhjetë e pesë vjeçe, dhe dy fëmijët e tyre, të moshës dhjetë dhe shtatë vjeç, u evakuuan me helikopter nga ushtria pasi kishin mbetur të bllokuar për disa ditë te të afërmit pranë Trishuli Bazar.

Familja kishte planifikuar një udhëtim të shkurtër në këmbë në rajonin Langtang, por rrëshqitjet e mëhershme të dheut kishin bllokuar shtigjet. Ata u detyruan të ndërprisnin udhëtimin dhe u kthyen më herët për të qëndruar te të afërmit. Vetëm një ditë më vonë erdhi përmbytja.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“E pamë valën e përmbytjes dhe pastaj vrapuam përpjetë kodrës me gjithë fuqinë që kishim”, tha Münch për agjencinë gjermane të lajmeve dpa, transmeton KosovaPress. Familja përshkoi rreth tetëqind metra për të arritur në një zonë të sigurt. Nga shtëpia pranë lumit, ata fillimisht dëgjuan një zhurmë të fuqishme që paralajmëronte katastrofën.

“Një bubullimë e fortë, një gjëmim”, tregoi Münch, ndërsa më pas panë valën e ujit dhe retë e pluhurit që ngriheshin. Ai thotë se ndërprerja e udhëtimit ishte vendimtare për mbijetesën e tyre. “Po ta kishim vazhduar udhëtimin sipas planit, atë natë do të kishim qëndruar në Syabrubesi dhe do të kishim vdekur”, tha Münch.

Pas katastrofës, familja kontaktoi Ambasadën e Gjermanisë për ta njoftuar se të gjithë ishin gjallë dhe kërkoi ndihmë për evakuim. Largimi nëpërmjet rrugëve ishte i pamundur. Sipas Münch, më shumë se njëzet ura ishin shkatërruar përgjatë një segmenti prej rreth dyzet kilometrash, ndërsa lidhjet rrugore në të dyja anët e lumit ishin ndërprerë.

Familja u evakuua me helikopter drejt një kampi ushtarak në Battar Bazar. Prej aty pritet të dërgohet në Katmandu, me synimin për t’u kthyer sa më shpejt në Gjermani. Helikopterët e ushtrisë nepaleze po vazhdojnë operacionet e shpëtimit në zonat e goditura, duke evakuuar të mbijetuar, familje, nxënës dhe punëtorë të hidrocentraleve të shkatërruara.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë bëri të ditur të premten se dhjeta shtetas të këtij vendi vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur në Nepal, ndërsa autoritetet po punojnë për të përcaktuar fatin e tyre, por edhe tjerëve që pësuan në vërshimet katastrofike.

Burimi: Bota Sot