Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se me ftesë të ministrit në detyrë, Hajrulla Çeku është mbajtur të premten, më , një takim ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve publike qendrore dhe lokale, institucioneve shkollore, universiteteve, mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe studentëve. Sipas njoftimit, ky ishte takimi i parë në këtë format.
“Për temë qendrore, takimi kishte përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe procesin e hartimit të strategjisë së re 10-vjeçare shtetërore të arsimit”- thuhet në njoftim. Po sipas njoftimit, diskutimet ishin përmbajtjesore dhe u zhvilluan në frymë pozitive dhe konstruktive.
Palët mirëpritën ftesën, sipas MASH-it formatin e takimit dhe vlerësuan lartë qasjen bashkëpunuese, dhe u dakorduan për takime të rregullta të këtij formati.
“Duke theksuar rëndësinë zhvillimore të arsimit në vend dhe gatishmërinë për punuar bashkërisht dhe me përkushtim për hartimin e strategjisë së re të arsimit dhe zbatimit të reformave që garantojnë cilësi në arsim, në këtë takim, u nënshkrua deklarata e zotimit për arsimin 2035+”- thuhet në njoftim Pjesëmarrës në takim sipas njoftimit ishin: Muhamet Gjoka, Kryesues i Kolegjiumit të Drejtorëve komunalë të arsimit, Rrahman Jasharaj, Kryetar i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, Sekretar i Përgjithshëm i SBASHK-ut, Mentor Alishani, Kryesues i Konferencës së Rektorëve, Linda Dula Halilabazi, Nënkryetare e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Merita Dili Hasani, Sekretare e Kolegjiumit të drejtorëve të institucioneve parashkollore, Donart Humolli, Nënkryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, dhe Kaon Krasniqi, Kryetar i Asamblesë së Fëmijëve të Kryeqytetit.
Më poshtë gjeni tekstin e plotë të deklaratës për ‘Zotimi për arsimin 2035+’: Ne, përfaqësuesit e institucioneve publike qendrore dhe lokale, institucioneve shkollore, universiteteve, mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe studentëve, të bashkuar rreth vizionit për arsimin e Kosovës, deklarojmë se: Arsimi është projekti më i rëndësishëm zhvillimor i Kosovës dhe kërkon bashkëpunim përtej dallimeve institucionale, politike dhe shoqërore.
Strategjia Shtetërore e Arsimit 2035+ do të hartohet si një proces i përbashkët, ku secili prej nesh do të ofrojë kontributin e vet me përkushtim të plotë. Zbatimi i Strategjisë Shtetërore të Arsimit 2035+ mbetet një proces i vazhdueshëm, i cili shkon përtej çdo mandati qeverisës dhe mbështetet në bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe akterëve të arsimit.
Zotohemi të mbështesim dhe të zbatojmë reforma që garantojnë arsim cilësor, mundësi të barabarta për çdo fëmijë dhe e lidhin arsimin me zhvillimin e Kosovës. Angazhohemi për të ndërtuar një konsensus të gjerë shoqëror duke e zgjeruar këtë partneritet me sektorët e tjerë publikë, forcat politike, sektorin privat, shoqërinë civile, komunitetin akademik, dhe partnerët zhvillimorë.
Nënshkruesit: Hajrulla Çeku, ministër i Arsimit dhe Shkencës; Muhamet Gjoka, kryesues i Kolegjiumit të Drejtorëve komunalë të arsimit; Rrahman Jashari, kryetar i SBASHK-ut; Mentor Alishani, kryesues i Konferencës së Rektorëve; Linda Dula Halilabazi, nënkryetare e Këshillit të Prindërve të Kosovës; Merita Dili Hasani, sekretare e Kolegjiumit të drejtorëve të institucioneve parashkollore; Donart Humolli, nënkryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës; Kaon Krasniqi, kryetar i Asamblesë së Fëmijëve të Kryeqytetit.
