21% e nxënësve në Prishtinë kanë deklaruar se kanë qenë dëshmitarë të posedimit të armëve në shkollë, 16% e tyre në Gjakovë dhe 8% në Ferizaj. Këto janë të dhënat nga raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit me temën “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”.
ZKA ka audituar për periudhën 2022-2025 drejtoritë komunale të arsimit në Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, si dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Policinë e Kosovës. 771 nxënës kanë marrë pjesë në pyetësorin e ZKA-së, në të cilin kryesisht 50% të nxënësve kanë deklaruar se shkolla e tyre është vend i sigurt.
Në bazë të të dhënave të ZKA-së, në Ferizaj 53% kanë thënë “po”, 38% janë përgjigjur “pjesërisht” dhe 9% mendojnë se nuk është e sigurt. Në Gjakovë, 71% kanë thënë “po”, 26% kanë thënë “pjesërisht” dhe 4% kanë thënë “jo”. Në Prishtinë 47% “po”, 43% “pjesërisht” dhe 10% “jo”. Raporti i ZKA-së ka identifikuar edhe gjetje të tjera dhe i ka ofruar rekomandimet për to.
Një gjetje e rëndësishme del të jetë mosregjistrimi i rasteve të dhunës në Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim (SMIA). ZKA ka gjetur shifra të pak rasteve që janë raportuar në SMIA, ndërsa ato janë më shumë kur janë raportuar në Polici.
“Vetëm nga 30 shkollat që ishin mostër auditimi për periudhën 2022-2025 kemi pranuar 535 raste të dhunës në evidencat fizike të shkollës, që tregon se shkollat kanë raste të dhunës por raportimi i tyre nuk bëhet, pra shkollat nuk kanë raportuar në DKA dhe as në SMIA siç kërkohet me rregulloren për protokollin dhe udhëzuesin për zbatimin e kësaj rregullore.”- thuhet në raportin e ZKA-së.
ZKA thotë se shkollat janë arsyetuar se mosraportimi i rasteve të dhunës në SMIA ka ardhur kryesisht për shkak se rastet janë trajtuar dhe menaxhuar brenda shkollës ose në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse, pa u konsideruar i nevojshëm raportimi në sistem.
Sipas të dhënave që ka gjetur auditori, në periudhën 2022-2025 janë raportuar: në Prishtinë – 44 raste të dhunës në SMIA, por 415 raste në Polici; Ferizaj – 17 në SMIA e 96 në Polici dhe në Gjakovë – 27 në SMIA dhe 133 në Polici.
Pas auditimit që ka kryer ZKA, 8 shkolla në Prishtinë kanë filluar për herë të parë raportimin e rasteve të dhunës në SMIA, duke raportuar gjithsej 27 raste gjatë periudhës janar–prill 2026. “Në komunën e Gjakovës, tri shkolla gjithashtu kanë filluar për herë të parë raportimin e rasteve në ‘’Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim’’.
Këto veprime paraqesin hapa pozitivë, por, për shkak të shtrirjes së tyre të kufizuar, nuk i adresojnë në tërësi mangësitë sistemore të identifikuara gjatë auditimit.”- shton ZKA. Auditimi i trajtimit të rasteve të dhunës në shkolla Në pyetësorin e ZKA-së nxënësit janë pyetur po ashtu se a ndjejnë liri për të raportuar incidentin e dhunës.
Sipas ZKA-së, 15% të nxënësve nga Ferizaj, Gjakovë e Prishtinë kanë deklaruar se nuk ndiejnë liri të raportojnë. Në Ferizaj 10% e nxënësve janë përgjigjur se nuk ndjen liri për raportim të dhunës, ose nuk besojnë se do të merret seriozisht. 2% më shumë kështu mendojnë nxënësit në Prishtinë. Kurse, nga 5% e nxënësve nga këto dy qytete mendojnë se raportimi nuk trajtohet me konfidencialitet.
Në pyetjen se a kanë përjetuar bullizim apo ngacmim në shkollë, në Ferizaj 34% e nxënësve kanë pohuar, 33% në Gjakovë dhe 32% në Prishtinë. Sa i përket llojit të bullizimit verbal – fyerje, tallje, këtë e kanë përjetuar 60% e nxënësve në Ferizaj, 49% në Gjakovë dhe 55% në Prishtinë. Kurse, shtyerje apo goditje kanë përjetuar 28% e nxënësve në Ferizaj, 32% në Gjakovë dhe 17% në Prishtinë.
Në pyetjen “A mendon se reagon shkolla si duhet kur ndodh një incident?’” vetëm 38%-54% janë përgjigjur se shkolla reagon si duhet kur ndodhë një incident. Kurse, 30% e nxënësve në Prishtinë kanë deklaruar se kanë qenë dëshmitar apo viktimë e dhunëse, 17% në Gjakovë dhe 24% në Ferizaj.
ZKA ka evidentuar se deri më tani nuk është kryer asnjë inspektim nga Inspektorati i Arsimit që vlerëson në mënyrë të plotë nëse shkollat i identifikojnë, trajtojnë, raportojnë dhe përcjellin rastet e dhunës sipas kërkesave të rregullores.
“Mungesa e të dhënave të sakta dhe analizave të mirëfillta ka kufizuar Ministrinë e Arsimit, Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe Inspektoratit të Arsimit për të vlerësuar gjendjen reale të sigurisë dhe për të ndërmarrë masa të bazuara në rrezik.”- theksohet në raportin e ZKA-së. Një element tjetër që është audituar është edhe vendosja e kamerave të sigurisë në ambientet e shkollës.
Sipas ZKA-së, Komuna e Ferizajt në qershor 2026 ka instaluar kamera të sigurisë në njërin nga gjimnazet që nuk posedonte kamera. “Kamerat e sigurisë edhe pse ishin të instaluara në 12 shkollat, kemi vërejtur se nuk ishin të gjitha funksionale dhe mbulueshmëria me kamera është e ulët.”- bën të ditur ZKA.
Në raportin e ZKA-së thuhet se Policia e Kosovës, Komuna e Ferizajt dhe Komuna e Gjakovës janë pajtuar me gjetjet e auditimit dhe janë zotuar se do t’i zbatojnë rekomandimet e dhëna. “Ministria e Arsimit janë pajtuar pjesërisht me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit dhe janë zotuar se do t’i zbatojnë rekomandimet e dhëna…
Komuna e Prishtinës nuk kanë dërguar as Letër konfirmimin dhe as komente.”- bëjnë të ditur nga ZKA. Rekomandimet e auditorit ZKA i ka rekomanduar Ministrisë së Arsimit që të hartojë politika apo strategji për sigurinë në shkolla të cilat janë të zbatueshme dhe harmonizuara, si dhe të vendosen mekanizma funksional që mundësojnë: parandalimin, trajtimin, dokumentimin dhe raportimin sistematik dhe transparent të rasteve të dhunës dhe bullizmit.
Të profilizojë inspektorët e arsimit si dhe të monitorojë, mbikëqyrë dhe inspektojë zbatimin e politikave mbi parandalimin, trajtimin dhe referimin e rasteve të dhunës në shkolla dhe të forcojë llogaridhënien.
“Të përcaktojë qartë kategoritë e rasteve të dhunës dhe bullizmit që duhet të raportohen nga institucionet e arsimit parauniversitar me qëllim të standardizimit të raportimit dhe sigurimit të të dhënave të plota dhe të krahasueshme në nivel nacional.
Të realizojë së paku një herë në vit pyetësor online me nxënës në nivel kombëtar, me qëllim të vlerësimit të nevojave dhe shqetësimeve të tyre”- janë disa nga rekomandimet tjera të ZKA-së. Policisë së Kosovës i ka rekomanduar që të forcojë bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit dhe institucionet tjera relevante.
Komunave që i ka audituar u ka rekomanduar që të të vlerësojnë rreziqet që lidhen me infrastrukturën fizike të shkollave dhe të sigurojnë masa të përshtatshme për kontrollin e qasjes, funksionalitetin e kamerave dhe mbikëqyrjen e hapësirave me rrezik më të lartë, duke respektuar privatësinë e nxënësve. Raportin e plotë të këtij auditimi nga ZKA mund ta gjeni në këtë LINK .
Në anën tjetër, KALLXO.com këtë vit raportoi për rastin e dhunës fizike ndaj një nxënësi të mitur në Shkollën “Pavarësia” në Prishtinë. Në këtë rast u përfshin dhe akuzuan drejtori i Shkollës, Halil Brahaj dhe mësimdhënësi Abaz Kadriu.
Pasi qëndruan katër muaj të suspenduar, KALLXO.com raportoi për mundësinë e kthimit të tyre në punë më , sipas vendimit të Komisionit Disiplinor të Komunës së Prishtinës. Ndaj tyre ka aktakuzë të ngritur më për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.
Po ashtu, më , KALLXO.com raportoi për një rast në të cilin pretendohej se pranë Shkollës “Dardania” në Prishtinë është gjetur një armë zjarri e mbushur, dhe se rasti është duke u hetuar nga Policia dhe është trajtuar nga drejtoria e shkollës. Sipas informacioneve, rasti ka ndodhur më .
Kurse, Policia e ka konfirmuar se e kanë sekuestruar një armë zjarri, por ajo nuk është gjetur në ambientet e shkollës.
