Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe deputeti, Tedi Blushi ka bërë një reagim në lidhje me arrestimin e Ergys Agasit dy ditë më parë, në kuadër të aferës së AKSHI-t, të cilin SPAK e akuzon se bashkë me të pandehurit e tjerë, kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal.
Në një reagim në rrjete sociale, ai shkruan se kur do të “arrestohet” edhe kantina e verës që ai administronte dhe ku ruheshin “verërat Romanée-Conti të Edi Ramës”, duke shtuar se ajo u “tret” brenda një nate. “Ergys Agasi u dorëzua! Por enigma mbetet: Kur do të “arrestohet” edhe kantina e verërave që ai administronte?
Ajo kantinë ku ruheshin verërat Romanée-Conti të Edi Ramës, që kushtonin sa pensionet e një Qarku të tërë dhe që u “tret” brenda natës, edhe pse ruhej me policë te der a.”, shkruan ai. Blushi i referohet zhdukjes së një koleksioni të verërave, që sipas raportimeve, kapnin shifrën e 1 milion eurove, ndonëse ishin bllokuar nga hetuesit e BKH-së dhe Drejtoria e Hetimit Doganor.
Pas shpalljes në kërkim muaj më parë të Ergys Agasit për dosjen e AKSHI-t, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit bllokuan një koleksion të shtrenjtë me 900 shishe verë të markave ekskluzive që i përkisnin Agasit.
