Dogana e Kosovës ka zbuluar mbi 54 mijë euro mjete monetare të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti në pikën kufitare të Kullës. Sipas njoftimit të Doganës, automjeti ishte përzgjedhur për kontroll të detajuar në vijën e dytë, ku zyrtarët doganorë kanë gjetur para të gatshme në euro dhe valuta të huaja.
Pas konvertimit të shumave sipas kursit zyrtar, vlera totale e mjeteve monetare të padeklaruara ka rezultuar mbi 54 mijë euro. “Gjatë kontrollit të një automjeti të selektuar për ekzaminim në vijën e dytë, zyrtarët doganorë kanë gjetur para të gatshme në valutë të huaj dhe euro”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Në përputhje me procedurat ligjore, është konfiskuar 25 për qind e shumës së padeklaruar, që kap vlerën e mbi 13,500 eurove. “Është konfiskuar 25% e shumës së padeklaruar, në vlerë prej mbi 13,500 euro, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve është proceduar sipas procedurave”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.
Dogana u ka rikujtuar udhëtarëve se gjatë kalimit të kufirit janë të obliguar t’i deklarojnë mjetet monetare në përputhje me legjislacionin në fuqi. “Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme, duke siguruar njëkohësisht zbatimin e drejtë dhe të barabartë të procedurave ligjore”, thuhet në njoftim. / Telegrafi
