Në fjalët përfundimtare në rastin e gazit lotsjellës, Prokuroria ka kërkuar që Xhelal Sveçla të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, ndërsa mbrojtja ka kërkuar aktgjykim lirues, me arsyetimin se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Prokurori Avni Namani ka renditur disa nga provat materiale dhe dëshmitë që, sipas Prokurorisë, dëshmojnë kryerjen e veprës penale nga Sveçla. Namani ka thënë se në CD-në e administruar si provë materiale, ku është incizuar seanca e Kuvendit, shihet momenti kur Xhelal Sveçla e aktivizon bombolën e gazit lotsjellës dhe e hedh brenda sallës së seancave plenare.
Sipas tij, pas përhapjes së një sasie të konsiderueshme të gazit, personat e pranishëm largohen nga salla. Prokurori ka përmendur edhe fotoalbumin e përpiluar nga zyrtarët policorë, përmes të cilit, sipas tij, dokumentohet gjetja e bombolave të gazit lotsjellës, të aktivizuara dhe të paaktivizuara, në sallën plenare të Kuvendit.
Gjithashtu, sipas Namanit, nga raporti i vendit të ngjarjes rezulton se janë dokumentuar 18 dëshmi materiale, shumica prej tyre bombola të gazit lotsjellës të gjetura në sallën e seancës plenare. Prokuroria është thirrur edhe në vendimin e Kuvendit të vitit 2018, i cili, sipas Namanit, është marrë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Sipas tij, në këtë vendim është konstatuar se seanca e jashtëzakonshme nuk ka mundur të vazhdojë për shkak të gazit lotsjellës dhe cenimit të shëndetit të deputetëve. Namani ka thënë se në këtë vendim Sveçla është njëri nga deputetët ndaj të cilëve është shqiptuar masë disiplinore.
Prokurori ka përmendur edhe deklarimin e mëhershëm të Sveçlës se “kemi tentuar ta ndalojmë një tradhti”, duke thënë se Prokuroria e konsideron këtë deklarim si pranim të gjendjes faktike nga i akuzuari. Në anën tjetër, mbrojtja ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke thënë se nuk është vërtetuar se Sveçla ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Avokati Luar Prenaj ka deklaruar se ekspertiza nuk përputhet me veprimet e të mbrojturit të tij. Ai ka thënë se edhe pamjet nga video-incizimet nuk dëshmojnë simptomat e përmendura në aktakuzë te deputetët e pranishëm, si kollitja dhe vjellja.
“Veprimet e të mbrojturit tim mbeten vetëm si një dyshim i arsyeshëm, prej të cilit, sipas ligjit, duhet të përfitojë i pandehuri”, ka deklaruar Prenaj. Mbrojtja ka kërkuar nga Gjykata që, meqë sipas saj nuk është vërtetuar kryerja e veprës penale, të nxjerrë aktgjykim lirues për Sveçlën.
Në fjalën e tij, Sveçla ka thënë se veprimi për të cilin ndodhet para gjykatës ka qenë aktivitet politik, me qëllim kundërshtimin dhe parandalimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Lidhur me rastin që akuzohem dua të deklaroj se veprimi për të cilin sot ndodhem para jush ka qenë aktivitet politik me një qëllim të qartë, kundërshtimin dhe përpjekjen për të parandaluar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, përmes së cilës Kosova humbi 8 mijë e 200 hektarë. Demarkacioni ishte gabim atëherë dhe mbetet gabim edhe sot”, ka deklaruar Sveçla.
Parashkruhet njëra vepër, ndryshohet aktakuza ndaj Sveçlës Prishtinë – Në seancën gjyqësore ndaj Xhelal Sveçlës për rastin e gazit lotsjellës, mbrojtja ka hequr dorë nga marrja në pyetje e të pandehurit, ndërsa deklarimet e tij do t’i paraqesë në fjalën përfundimtare. Me propozim të mbrojtjes, avokati Luar Prenaj ka marrë fjalën përfundimtare.
Ai deklaroi se, pas konsultimit me të pandehurin, mbrojtja heq dorë nga e drejta për deklarimin dhe marrjen në pyetje të tij, duke bërë të ditur se deklarimet do t’i paraqesë në fjalën përfundimtare. Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, prokurori Avni Namani ka njoftuar se Prokuroria ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës ndaj Sveçlës.
Sipas aktakuzës së ndryshuar, Xhelal Sveçla, më , nga ora deri në orën , në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme plenare, dyshohet se ka përdorur bombolën e gazit lotsjellës me përmbajtje të agjentit kimik CS.
Sipas Prokurorisë, Sveçla në disa raste e ka aktivizuar bombolën dhe e ka hedhur brenda sallës së Kuvendit, pa paralajmërim paraprak dhe pa u dhënë personave të pranishëm mundësinë për t’u larguar.
Si pasojë, sipas aktakuzës, gazi irritues është përhapur në hapësirat e mbyllura të sallës, duke bërë që personat e pranishëm, nga frika për shëndetin dhe sigurinë e tyre, të detyroheshin ta lëshonin sallën dhe seanca të ndërpritej.
Prokurori Namani ka bërë të ditur se Sveçla akuzohet për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 2 i Kodit Penal të vitit 2012. Ndërkohë, Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit të kësaj vepre. Pjesa tjetër e aktakuzës ka mbetur e pandryshuar.
Pas ndryshimit të aktakuzës, seanca ka vazhduar me fjalët përfundimtare të palëve. Bashkë me Sveçlën po akuzohen edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ish-deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku.
Por, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mungoi në seancën e 16 janarit 2026, duke njoftuar me e-mail se gjendet jashtë vendit, andaj Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale ndaj tij. Në seancën e 10 prillit 2026, Sveçla u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.
Gjykata Themelore në Prishtinë më ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit. Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më , katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
“Betimi për Drejtësi”, në tetor të vitit 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më , Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më , rreth orës e deri në orën , kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.
Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës. Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi
