Një nga figurat më të mëdha të futbollit francez dhe atij evropian është nderuar me një çmim prestigjioz. Thierry Henry është shpallur fitues i UEFA President’s Award 2026, çmim që vlerëson arritjet e jashtëzakonshme dhe kontributin në futboll, brenda dhe jashtë fushës. Henry konsiderohet një prej sulmuesve më të kompletuar të gjeneratës së tij.
Me Arsenal FC ai u bë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit dhe ishte një prej figurave kryesore të ekipit të famshëm “Invincibles”. Ai gjithashtu fitoi Champions League me Barcelonën, ndërsa me Francën triumfoi në Kupën e Botës 1998 dhe Euro 2000.
Në karrierën e tij, Henry shënoi 411 gola për klubin dhe kombëtaren, duke lënë gjurmë si një sulmues që kombinonte shpejtësinë, teknikën, kreativitetin dhe finalizimin.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, e vlerësoi Henryn jo vetëm për sukseset sportive, por edhe për qëndrimin e tij kundër racizmit, diskriminimit dhe për angazhimin në çështje të shëndetit mendor dhe kauzave humanitare. Francezi tash punon si “pundit” apo moderator në emisione sportive dhe bënë analiza sportive të detajueshme.
Çmimi presidencial i UEFA-s jepet që nga viti 1998 për personalitete që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe që kanë treguar cilësi të veçanta si në sport, ashtu edhe jashtë tij.
