Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka deklaruar se institucionet disponojnë informacione serioze të sigurisë për përgatitjen e një operacioni hibrid që synon destabilizimin e vendit. Sipas tij, veprimi pritet të ndërmerret pas mbylljes së paralajmëruar të kapitujve të rinj në negociatat e Malit të Zi me Bashkimin Evropian dhe përfshin zyrtarë nga të paktën dy shtete të rajonit.
Spajiq nuk i identifikoi publikisht vendet, por gazeta malazeze “Vijesti”, duke u bazuar në disa burime, raportoi se ai i referohej Serbisë dhe Shqipërisë. “Sipas informacioneve tona, aktivitete të tilla synojnë destabilizimin e Malit të Zi, me mbështetjen e pritshme të disa aktorëve politikë dhe një pjese të skenës mediatike në vendin tonë”, shkroi Spajiq në platformën X.
Ai deklaroi se autoritetet janë të informuara për këto synime dhe qëllimin e tyre, duke theksuar se përpjekjet për destabilizim nuk do ta ndryshojnë drejtimin politik të Podgoricës. “Përpjekjet për destabilizim nuk do ta ndryshojnë kursin tonë dhe as nuk do ta ndalin rrugën evropiane të Malit të Zi”, shtoi kryeministri malazez.
Operacionet hibride përfshijnë përdorimin e koordinuar të mjeteve politike, informative, ekonomike, kibernetike ose ushtarake për ta destabilizuar një shtet pa nisur një konflikt të hapur të armatosur. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
