Egnatia ka humbur një mundësi të artë për të shkruar historinë në arenën evropiane, pasi u mposht 2-1 nga Lillestrom në Norvegji, në një ndeshje që u vendos vetëm në minutat e para të shtesës. Kampionët e Shqipërisë e nisën sfidën me shumë qetësi dhe vendosmëri, duke arritur të kalojnë në avantazh në minutën e 33-të.
Ishte Sota ai që dërgoi topin në rrjetë, pas një asistimi të Fernandos, duke i dhënë Egnatias një avantazh shumë të rëndësishëm. Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede e menaxhoi mirë epërsinë dhe pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1.
Edhe në vazhdim, rrogozhinasit rezistuan përballë presionit të vendasve dhe për një kohë të gjatë dukej se ishin shumë pranë kualifikimit në fazën e ligës së Europa League. Por Lillestrom nuk u dorëzua.
Në minutën e 82-të, norvegjezët arritën të barazonin rezultatin përmes Moen Fos, i cili shfrytëzoi asistimin e Ibrahimajt për të rikthyer vendasit në lojë. 90 minutat e rregullta përfunduan në barazim 1-1, duke bërë që sfida të shkonte në kohën shtesë. Në 30 minutat shtesë, të dyja skuadrat patën mundësitë e tyre, ndërsa Egnatia pati raste për të rikthyer avantazhin.
Megjithatë, kampionët shqiptarë nuk arritën të ishin mjaftueshëm të saktë në momentet vendimtare. Dhe ndëshkimi erdhi shumë shpejt. Në minutën e 94-t, Olsen shënoi golin e dytë për Lillestrom, duke kompletuar përmbysjen dhe duke i dhënë skuadrës norvegjeze avantazhin 2-1.
Egnatia u hodh e gjitha në sulm në minutat e mbetura, në kërkim të golit që do ta rikthente ndeshjen në ekuilibër, por mbrojtja vendase arriti ta ruante epërsinë deri në vërshëllimën e fundit. Kështu, Egnatia pëson një humbje dramatike 2-1 dhe i jep fund ëndrrës për të luajtur në fazën e ligës së Europa League. Megjithatë, aventura evropiane e kampionëve shqiptarë nuk përfundon këtu.
Pas eliminimit nga Liga e Evropës, Egnatia do të vazhdojë garën në fazën e ligës së Ligës së Konferencës, duke siguruar kështu një tjetër mundësi për të përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare .
