Boksierja kosovare Donjeta Sadiku e ka kurorëzuar me medalje të artë paraqitjen e saj në Lojërat Mesdhetare, duke mposhtur në finale boksieren serbe Kristina Kuluhova. Sfida u ndërpre para përfundimit, pasi Kuluhovës iu lëndua arkada nga goditja, ndërsa Donjeta ishte duke e kontrolluar duelin dhe kishte krijuar epërsi me goditjet e saj të sakta, veçanërisht në kokë.
Pas fitores, Sadiku tha se gjithçka shkoi sipas planit dhe se ishte e përgatitur maksimalisht për finalen. “Ndeshja shkoi siç e kemi parashikuar. Isha super e përgatitur”, ka thënë Donjeta Sadiku për “Kosovapress”. Boksierja kosovare theksoi se kjo medalje ka një dedikim të veçantë. “Këtë medalje ia kushtoj gjithë Kosovës”, ka shtuar Sadiku.
Pas përfundimit të finales u zhvillua edhe ceremonia e medaljeve, ndërsa boksierja serbe nuk doli në podium. Suksesi i Donjetës është një tjetër moment i rëndësishëm për Kosovën në Lojërat Mesdhetare, duke e mbyllur garimin e saj me medaljen e artë.
