Barcelona do ta zhvillojë sonte ndeshjen e dytë të sezonit në La Liga, duke e pritur Athletic Bilbaon në Camp Nou. Takimi i përket javës së parë të kampionatit, e cila ishte shtyrë, shkruan “Goal”. Katalanasit e nisën sezonin në udhëtim të dielën, duke e shkatërruar Elchen me rezultatin 5-0.
Statistikat e përpunuara nga Opta e tregojnë një avantazh të qartë të Barcelonës përpara përballjes me Athletic Bilbaon. Barcelona nuk ka humbur në 13 përballjet e fundit në La Liga ndaj Athletic Bilbaos, duke i regjistruar 11 fitore dhe dy barazime. Në nëntë ndeshjet e fundit mes tyre, katalanasit e kanë mbajtur portën e paprekur në tetë raste.
Një seri më e gjatë pa humbje ndaj skuadrës baske ishte regjistruar vetëm në vitin 2013, kur Barcelona qëndroi 14 ndeshje radhazi pa humbje, me 10 fitore dhe katër barazime. Në shtëpi, dominimi i Barcelonës është edhe më i madh. Katalanasit kanë mbetur të pamposhtur në 24 ndeshjet e fundit të La Ligës ndaj Athletic Bilbaos, me 21 fitore dhe tri barazime.
Ata i kanë fituar shtatë përballjet e fundit. Kjo është seria më e gjatë e Barcelonës pa humbje në shtëpi ndaj Bilbaos në elitën e futbollit spanjoll. Humbja e fundit në kampionat ndaj tyre në shtëpi daton në nëntor të vitit 2001, kur Barcelona u mposht 1-2. Një tjetër statistikë interesante lidhet me ditën e zhvillimit të ndeshjes.
Barcelona i ka luajtur shtatë ndeshje në La Liga të enjten dhe i ka fituar të shtatat. Ndërkohë, Athletic Bilbao nuk ka humbur në katër ndeshjet e fundit të kampionatit të zhvilluara të enjten, duke i marrë tri fitore dhe një barazim. Barcelona gjithashtu vjen me një seri prej 19 fitoresh radhazi në shtëpi në La Liga.
Katalanasit nuk janë mposhtur në Camp Nou që nga humbja 2-3 nga Villarreali në maj të vitit 2025. Kjo është seria më e gjatë e fitoreve radhazi në shtëpi nën drejtimin e të njëjtit trajner që nga periudha e Rinus Michels, kur Barcelona i fitoi 21 ndeshje radhazi mes viteve 1973 dhe 1974. Në krahun tjetër, Athletic Bilbao nuk po e kalon një moment të mirë.
Skuadra baske nuk ka fituar në pesë ndeshjet e fundit në La Liga, duke e marrë vetëm një barazim dhe duke i pësuar katër humbje. Edhe statistikat në udhëtim janë shqetësuese për Bilbaon. Në gjashtë ndeshjet e fundit jashtë shtëpisë, ata kanë marrë pikë vetëm në një rast, ndërsa i kanë humbur pesë ndeshje.
Në secilën prej këtyre pesë transfertave të humbura, Bilbao i ka pësuar të paktën nga dy gola. Barcelona është gjithashtu skuadra me më shumë porta të paprekura në La Liga gjatë vitit 2026, me 10 ndeshje pa pësuar gol. Athletic Bilbao është në skajin tjetër të kësaj statistike, me vetëm një portë të paprekur, një shifër që e ndan me Villarrealin.
Një tjetër statistikë interesante lidhet me Nico Williams. Sulmuesi i Athletic Bilbaos është përballur tetë herë me Barcelonën në La Liga pa qenë në gjendje të shënojë apo të asistojë. Barcelona është gjithashtu njëri prej kundërshtarëve që ai nuk ka mundur kurrë ta mposhtë në kampionat: një barazim dhe shtatë humbje. Barcelona i ka gjithashtu dy nga lojtarët më produktivë të vitit 2026.
Në mesin e klubeve të pesë kampionateve kryesore të Evropës, katalanasit janë të vetmit që e kanë më shumë se një futbollist me të paktën 15 gola në të gjitha kompeticionet gjatë këtij viti: Raphinha i ka shënuar 16 gola, ndërsa Lamine Yamal 15. Ndërkohë, trajneri i Athletic Bilbaos, Edin Terzic, e humbi ndeshjen e parë të sezonit 1-3 nga Sevilla.
Një tjetër humbje sonte nga Barcelona do ta bënte atë trajnerin e parë që prej Ernesto Valverdes në sezonin 2003/04 që e nis La Ligën me dy humbje radhazi.
