Fushë Kosova vaksinon 299 fëmijë në dy javë

0%

Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se ekipet e QKMF-së kanë vaksinuar 299 fëmijë të moshës 0 deri në 5 vjeç, në kuadër të Planit të Veprimit për rritjen e mbulueshmërisë me vaksinën MMR dhe parandalimin e përhapjes së fruthit. Gjatë dy javëve, ekipet shëndetësore kanë kontaktuar qindra prindër, kanë zhvilluar vizita në terren dhe kanë ofruar këshillim shëndetësor.

Nga numri i përgjithshëm, 174 fëmijë janë vaksinuar me MMR. Sipas të dhënave të IKSHPK-së, rreth 58 për qind e fëmijëve të vaksinuar me MMR në nivel vendi gjatë kësaj periudhe janë nga Fushë Kosova. Komuna ka falënderuar ekipet e vaksinimit, profesionistët shëndetësorë dhe prindërit për bashkëpunimin, duke bërë thirrje që vaksinimi i fëmijëve të vazhdojë sipas kalendarit të rregullt.

Burimi: Bota Sot