Kessie ndëshkon Gjermaninë, Bregu i Fildishtë kryeson pas pjesës së parë

0%

Bregu i Fildishtë ka mbyllur pjesën e parë në avantazh 1-0 ndaj Gjermanisë në ndeshjen e vlefshme për raundin e dytë të Kampionatit Botëror 2026. Gjermanët e nisën më mirë takimin dhe krijuan rastin e parë serioz që në minutën e 10-të, kur Kai Havertz provoi me kokë nga afërsia, por portieri Yahia Fofana reagoi mjaft mirë për të mbajtur portën e paprekur.

Skuadra e Julian Nagelsmann vazhdoi të ushtrojë presion dhe iu afrua golit edhe në minutën e 18-të, kur Jamal Musiala u gjend në një pozitë premtuese, por goditja e tij kaloi fare pranë shtyllës së djathtë. Gjermania mendoi se kishte kaluar në epërsi në minutën e 21-të me Aleksandar Pavlovic, por goli u anulua nga gjyqtari për shkak të një ndërhyrjeje të palejuar në aksion.

Pasi i mbijetoi presionit gjerman, Bregu i Fildishtë filloi të rrezikojë gjithnjë e më shumë në kundërsulme. Megjithatë, vetëm pak sekonda më vonë afrikanët gjetën golin e epërsisë. Pas një topi të kthyer brenda zonës, Franck Kessie reagoi më shpejt se të gjithë dhe e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 1-0.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gjermania tentoi të reagojë deri në fund të pjesës së parë me Florian Wirtz, Jamal Musiala dhe Leroy Sane, por mbrojtja e organizuar e Bregut të Fildishtë ia doli të ruajë avantazhin. Rastin më të mirë për ta dyfishuar epërsinë e pati Ange-Yoan Bonny në minutën e 38-të, por Manuel Neuer bëri një pritje fantastike për ta mbajtur Gjermaninë në lojë./ Telegrafi

Burimi: Telegrafi