Jolie: nuk duhet të kemi frikë të flasim për kancerin

0%

Shpërndaje në: Angelina Jolie i jep meritë filmit të saj të ri “Couture” për faktin se e ka ndihmuar të hapë një dialog me tre vajzat e saj rreth kancerit. “Në fakt, vetë filmi do të më ndihmojë të flas me vajzat e mia për këtë.

Sigurisht që kam folur pak me to për këtë temë, por edhe vetëm duke u treguar se filmi po del së shpejti dhe duke biseduar me to për çfarë bëhet fjalë, na çoi në një diskutim për gjenet, për mundësinë nëse edhe ato e kanë trashëguar sëmundjen, për mënyrën se si po ndryshon mjekësia, si e jetojmë jetën dhe për shumë gjëra të tjera që mund të ndodhin – dhe që nuk duhet të kemi frikë”, ka deklaruar ajo.

Në vitin 2013, Jolie iu nënshtrua mastektomisë së dyfishtë si masë parandaluese pasi mësoi se kishte një mutacion gjenetik që e rriste ndjeshëm rrezikun për kancer të gjirit. Dy vjet më vonë, ajo vendosi gjithashtu të hiqte vezoret. Nëna e Joliet, Marcheline Bertrand, vdiq nga kanceri i vezoreve në vitin 2007. Edhe tezja e saj nga ana e së ëmës vdiq nga kanceri në vitin 2013.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në filmin “Couture” me regji të Alice Winocour, fituesja e çmimit “Oscar”, Jolie, e portretizon Maxinën, një regjisore amerikane, jeta e së cilës merr një kthesë të papritur kur ajo udhëton për në Paris gjatë Javës së Modës.

Maxine e gjen veten të zënë midis një projekti të rëndësishëm në të cilin po punon, një romance me një burrë francez dhe një diagnoze shkatërruese të kancerit të gjirit.

E tërhequr në një histori dashurie me një bashkëpunëtor të njohur, ndërsa rruga e saj kryqëzohet me gra të moshave dhe prejardhjeve kulturore të ndryshme – të gjitha duke luftuar për të marrë kontrollin e fateve të tyre – Maxine përfundon në një udhëtim thellësisht personal të vetëzbulimit që e detyron atë të përballet me zgjedhjet që i japin formë jetës së saj.

“Maxine është një personazh që, kur e takojmë për herë të parë, është një regjisore amerikane që vjen në Paris për të drejtuar një shou të modës së lartë. Të krijohet përshtypja se ajo po e bën këtë për para, për jetesë, për punë, duke u përpjekur të përqendrohet vetëm te kjo. Por më pas zbulon se ka kancer.

Një pjesë e madhe e historisë flet për mënyrën se si e pranojmë një lajm të tillë, si flasim me familjen tonë dhe si i rishikojmë prioritetet në jetë. Mendoj se filmi flet gjithashtu për zgjedhjen për të jetuar plotësisht, për ta përqafuar jetën”, ka thënë Jolie. Jolie po ashtu tha se shpreson që filmi t’i inkurajojë njerëzit ta jetojnë jetën e tyre sa më të plotë.

“Shpresoj që ky të jetë një film që njerëzit ta shohin së bashku me ata që i duan. Kam menduar shpesh se nuk duhet të jetë një film që gratë ta shohin vetëm, të ulura në një sallë. Shpresoj që njerëzit që i duan vajzat, bashkëshortet apo nënat e tyre të shkojnë ta shikojnë filmin, sepse është një mënyrë për t’u thënë atyre: ‘Po të dëgjoj, jam pranë teje dhe dua të të kuptoj më mirë’.

Shpresoj që njerëzit të marrin nga ky film mesazhin për të jetuar – thjesht për të jetuar. Të gjithë ne, një ditë, do të largohemi nga kjo jetë. Shpesh përballemi me stres për kaq shumë gjëra të ndryshme, sidomos në kohët e sotme. Shumë njerëz janë të mbingarkuar, me të drejtë, nga gjithçka që po ndodh. Por kjo është jeta që kemi dhe këto janë ditët që na janë dhënë.

Edhe unë jam fajtore që ndonjëherë nuk arrij të gjej gëzim në kohë të vështira. Por duhet ta bëjmë. Prandaj shpresoj që filmi të jetë, në një farë mënyre, një afirmim i jetës dhe të nxisë diskutime mes njerëzve”. Louis Garrel, Ella Rumpf, Garance Marillier, Anyier Anei dhe Vincent Lindon gjithashtu luajnë në filmin, në të cilin Jolie përveç rolit kryesor vjen edhe në rolin e producentes.

“Couture” nis së shfaquri nëpër kinema të limituara nga 26 qershori.

Burimi: Koha