Drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), John Ratcliffe, zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Moskë më 25 gusht, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë zyrtarë amerikanë.
Kjo vizitë e rrallë vjen në një kohë kur përpjekjet e Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës kanë ngecur dhe tensionet lidhur me marrëdhëniet e Moskës me Iranin janë përshkallëzuar. Arsyeja e vizitës së Ratcliffe, e para që publikisht dihet se ka realizuar në Rusi që kur ai u bë drejtor i CIA-s gjatë mandatit të Donald Trump, nuk ishte menjëherë e qartë.
Zyrtarë amerikanë, që ishin në dijeni të udhëtimit, konfirmuan se ai fluturoi drejt Moskës, por nuk pranuan të zbulonin përmbajtjen e takimeve të tij apo të tregonin me kë u takua. CIA dhe Shtëpia e Bardhë nuk u deklaruan për media.
Vizita, e raportuar fillimisht nga CBS News, u sinjalizua nga të dhënat e gjurmimit të fluturimeve, të cilat tregonin një avion transporti ushtarak amerikan duke udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara përmes Letonisë drejt Moskës.
Avioni, që dukej se ishte nisur nga Baza Andrews në Merilend, ateroi në Aeroportin Vnukovo të Moskës më 25 gusht dhe u largua nga Rusia më vonë po atë ditë, sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimeve. Kjo ngriti pyetje se pse kreu i agjencisë amerikane të inteligjencës po vizitonte Rusinë në një moment kaq delikat.
Vizita e fundit në Moskë e një drejtori të CIA-s, që dihet publikisht, ishte ajo e paraardhësit të Ratcliffe, William Burns, i cili u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, në nëntor 2021, tre muaj para se Putini të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
Natyra e këtij udhëtimi sugjeron se rreziku ishte i lartë, tha për REL-in Glen Howard, ekspert për Rusinë dhe kryetar i Saratoga Foundation, një institut me bazë në Shtetet e Bashkuara. “Drejtorët e CIA-s nuk shkojnë në Moskë nëse nuk duan të kërkojnë diçka ”, tha Howard, duke shtuar se ata nuk “udhëtojnë deri në Rusi nëse nuk është diçka e rëndësishme”.
“Burns shkoi atje në nëntor 2021, para pushtimit rus, për t’i paralajmëruar [rusët] që të mos pushtonin Ukrainën” , tha ai. Zyrtarë të lartë të inteligjencës amerikane kanë mbajtur kontakte me homologët e tyre rusë gjatë luftës, por takimet ballë për ballë në këtë nivel mbeten të rralla. Karota dhe shkopinj?
Një shpjegim i mundshëm është Ukraina, veçanërisht përpjekja e administratës amerikane për të përcaktuar nëse Moska mund të bindet ende të negociojë për t’i dhënë fund luftës. Përpjekjet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja kanë ngecur, pavarësisht takimit të Trumpit me Putinin në Alaskë në gusht të vitit 2025.
“Do të shpresoja që në krye të listës së tij të ishte një kërkesë e drejtpërdrejtë që Putin t’i japë fund kësaj lufte të pajustifikuar të agresionit kundër Ukrainës” , tha për REL-in Bradley Bowman, drejtor i lartë i Qendrës për Fuqinë Ushtarake dhe Politike në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në Uashington.
Bowman, ish-këshilltar për sigurinë kombëtare i anëtarëve të Komiteteve të Senatit amerikan për Forcat e Armatosura dhe Marrëdhëniet me Jashtë, tha se Uashingtoni duhet ta bëjë të qartë se dështimi për t’i dhënë fund luftës do të sjellë masa gjithnjë e më të dhimbshme kundër Rusisë, ndërsa SHBA-ja dhe aleatët e saj vazhdojnë ta ndihmojnë Ukrainën të mbrohet.
Bowman përmendi edhe një tjetër temë të mundshme: mbështetjen e Rusisë për Iranin. Rusia dhe Irani “Shpresoj që ai të ketë thënë gjithashtu se Putin duhet të ndalojë së ofruari ndihmë për Iranin për lëshimin e satelitëve”, tha Bowman, duke shtuar se Moska duhet të ndalojë gjithashtu ofrimin e mbështetjes që mund ta ndihmojë Iranin të godasë forcat amerikane, përfshirë informacionet për shënjestrimin, ndihmën lidhur me dronët dhe kapacitete të tjera ushtarake.
Rusia ka lidhje të mëdha ushtarake dhe tregtare me Iranin. Vizita e Ratcliffe erdhi një ditë pasi sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi një përpjekje të re për të “ndërprerë çdo burim ekonomik që mban gjallë këtë regjim tiranik derisa Teherani të mbetet i vetëm” dhe tha se vendeve do t’u jepen afate për të “mbyllur” aktivitetet që e mbështesin atë.
Howard gjithashtu sugjeroi se Irani mund të jetë në qendër të misionit të Ratcliffe, megjithëse theksoi se ky ishte spekulimi i tij dhe jo një fakt i konfirmuar. Sipas tij, Ratcliffe mund të jetë duke u përpjekur ta bindë Moskën të ndalojë furnizimin ose ndihmën për Iranin, duke e kthyer potencialisht vizitën në një paralajmërim jashtëzakonisht të drejtpërdrejtë për Kremlinin.
Bowman iu referua raportimeve se Rusia i ka ofruar Iranit informacione për shënjestrimin dhe i ka transferuar taktika dhe teknika të përdorimit të dronëve të zhvilluara gjatë luftës në Ukrainë. Ai argumentoi se mbështetja e Moskës mund të jetë një nga arsyet pse Irani ka qenë në gjendje të ruajë qëndrueshmërinë ushtarake dhe t’i rezistojë presionit për të negociuar.
Një vizitë e rrallë në një moment të ndjeshëm Vizita e Ratcliffe në Moskë ishte e veçantë edhe për shkak të reputacionit të tij si një kritik i ashpër i Rusisë.
Howard iu referua mbështetjes së mëparshme të Ratcliffe për mbajtjen e këshilltarëve të CIA-s në Ukrainë për të ndihmuar me inteligjencën dhe shënjestrimin, edhe pse Pentagoni po lëvizte drejt zvogëlimit të pranisë së tij këshilluese atje. Kjo, argumentoi Howard, sugjeron se Ratcliffe ka një linjë veçanërisht të drejtpërdrejtë me Trumpin.
Ndërkohë, Moska e ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po ofrojnë mbështetje të fortë për sulmet ukrainase ndaj Rusisë. Pa paraqitur prova, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha në fillim të këtij muaji se Rusia i kishte dërguar Departamentit të Shtetit pyetje “lidhur me çështjen e të dhënave të inteligjencës dhe faktin se SHBA-ja është shumë më e përfshirë në organizimin dhe realizimin e sulmeve në thellësi të territorit rus”.
Amerikanët pas hekurave Disa vëzhgues spekuluan se fati i amerikanëve të burgosur ose të ndaluar në Rusi mund të ketë qenë pjesë e qëllimit të vizitës.
CIA ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekjet e mëparshme për të siguruar lirimin dhe kthimin e amerikanëve të burgosur, përfshirë shkëmbimin e vitit 2024 që mundësoi lirimin e gazetarit të Wall Street Journal, Evan Gershkovich, gazetares së REL-it, Alsu Kurmasheva, dhe ish-marinsit amerikan Paul Whelan.
Ratcliffe gjithashtu luajti rol në negociatat që çuan në lirimin e Ksenia Karelina, shtetase ruso-amerikane e cila kaloi më shumë se një vit burgim në Rusi pasi autoritetet ruse e akuzuan për mbështetje ndaj Ukrainës.
“Ekziston një përgjegjësi serioze për çdo zyrtar të Qeverisë amerikane që flet me cilindo shtet që po mban padrejtësisht një shtetas amerikan, që ta ngrejë këtë çështje në çdo mundësi”, tha Bowman.
Një pyetje që mbetet pa përgjigje është nëse vizita e Ratcliffe përfaqëson përshkallëzim të tensioneve, një hapje diplomatike apo përdorimin e një kanali të inteligjencës për një marrëveshje specifike.
Uashingtoni po bën presion për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, por Putini – ndonëse duket i interesuar ta mbajë SHBA-në të përfshirë në përpjekjet diplomatike – ka refuzuar thirrjet e SHBA-së dhe Kievit për nisjen e bisedimeve duke i ngrirë vijat e frontit në gjendjen aktuale.
Në vend të kësaj, ai këmbëngul që Ukraina t’ia dorëzojë territorin që forcat e Moskës nuk kanë qenë në gjendje ta pushtojnë në fushëbetejë. / REL
