Së fundi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, duke e akuzuar se ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) dhe se, në një rast tjetër, ka shantazhuar një person për një shumë prej mbi 13 mijë eurosh. Sheholli akuzohet për dy vepra penale: “spiunazh” dhe “shantazh”.
Opinionisti Xhevat Mustafa ka ngritur shqetësime për rekrutimin e mundshëm të shqiptarëve nga shërbimet e huaja të inteligjencës, duke iu referuar edhe një deklarate të atribuar Hitlerit për spiunët në Shqipëri. Ai theksoi se, pavarësisht vërtetësisë së saj, historia ka dëshmuar raste të ndërhyrjeve dhe rekrutimeve të tilla.
“Nuk mund të thuhet se është 100% e vërtetë thënia e Hitlerit në kohën e L2B-së se “në të gjitha vendet e tjera na është dashur që spiunët t’i blejmë shtrenjtë, ndërsa në Shqipëri na janë ofruar vetë dhe falas…”!? Gjithsesi, koha, me dekada para dhe prapa kësaj deklarate, të sajuar apo të vërtetë, ka dëshmuar se nuk është e pabazë apo e fantazuar krejt!
Aq më tepër, me burim nga Hitleri, që, siç është thënë e shkruar, nuk është dëshmuar, të paktën me fjalë dhe shumicën e veprimeve, dashakeq dhe përçmues histerik apo racist ndaj kombit shqiptar” , nënvizoi Mustafa. Mustafa ka theksuar se rekrutimi i spiunëve nga shërbimet e huaja mbetet një shqetësim serioz në hapësirën shqiptare.
Ai përmendi shërbimet serbe dhe greke, duke iu referuar edhe rasteve të fundit në Kosovë, përfshirë Fehim Salin dhe Fatmir Shehollin. “Rekrutimi me para apo falas i spiunëve në BOTËN SHQIPTARE nuk është dukuri e traditë, as e rastësishme dhe as “histori nga e kaluara e largët!”
Në të kundërt, gjatë mbi 114 viteve të ekzistencës së shtetit shqiptar e sidomos në këta 35 vjet, veçanërisht këto vitet e fundit, ka pasur dhe ka zhvillim të vrullshëm, krahasueshëm me korrupsionin, kanabizimin, kullëzimin, kurvërinë politike dhe ordinere…! OZN-UDB-BIA…
Agjenci të Shërbimit Sekret Serb… dhe ai EYP grek, në Kosovë, MV, Malin e Zi, Shqipëri…, ndjehen dhe veprojnë si në shtëpinë e vet!? Sepse jo pak politikanë, pushtetarë, zyrtarë, shtetas të thjeshtë… shqiptarë, shiten e blihen lirë e lehtë…!?
Në Kosovë, rastet më të freskëta janë ato të Fehim Salit (me njohje dhe foto edhe me Ivica Daçiç, Vjosa Osmanin, Albin Kurtin…) dhe Fatmir Shehollit…”, tha ai. Mustafa e përmbylli reagimin duke bërë thirrje për më shumë vigjilencë ndaj veprimtarisë së mundshme të shërbimeve të huaja të inteligjencës në hapësirat shqiptare.
Ai paralajmëroi se institucionet duhet të jenë më të kujdesshme përballë çdo përpjekjeje për spiunazh apo ndikim të jashtëm. “Ndoshta në Shqipëri, SHISH, nën drejtimin e Vjosa Hysenit, në këto javë me vapë të madhe dhe pushimesh verore, nuk ka kapur akoma në grep apo rrjetë ndonjë “peshk të madh spiunazhi”!
Të shpresojmë se nuk do të jetë shumë e largët kjo ditë, kur t’u tregohet spiunëve nga vende fqinj apo më të largëta se në Shqipëri do të kapen nëpër çarqe jo si lepuj, por si…”minj”!?
Kujtesa më solli ndërmend edhe një thënie dhe këmbanë alarmi, figurative, të Hajro Limajt, mikut dhe kolegut tim publicist dhe autor i disa librave studimorë, përsëritur prej tij e prej meje në disa shkrime të botuara, se “spiunë serbë, grekë, rusë… hedhin valle përreth monumentit të Skënderbeut mbi kalë!”
Domethënë, edhe në Tiranë e Krujë, edhe në Prishtinë… dhe gjetiu, nga Ksamili në Mitrovicë…” – përfundoi ai.
