Prishtina prej vitesh vazhdon të përballet me problemin e mbeturinave, ndërsa shumë lagje, trotuare, rrugica dhe parqe të kryeqytetit përballen me menaxhim jo të duhur të tyre, raporton Sinjali. Përveç zonave të ndryshme të qytetit, në gjendje të rëndë mjedisore vazhdojnë të jenë edhe disa nga sheshet e kryeqytetit.
Pamjet e siguruara nga Sinjali tregojnë mbeturina të shpërndara përreth kontejnerëve, ndërsa një pjesë e tyre është hedhur edhe në tokë, pavarësisht hapësirave të dedikuara për grumbullimin e mbeturinave.
Për këtë gjendje, banorët shpesh fajësojnë Komunën dhe kompanitë përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave, por një pjesë e përgjegjësisë i atribuohet edhe qytetarëve për mungesën e vetëdijesimit dhe hedhjen e mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara. Problemi i mbeturinave mbetet një nga çështjet që vazhdon të shqetësojë qytetarët dhe të ndikojë në pamjen e kryeqytetit.
Për këtë situatë, Sinjali ka kontaktuar edhe kompaninë “Pastrimi”, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, për të marrë një qëndrim lidhur me gjendjen dhe masat që po ndërmerren për pastrimin e këtyre hapësirave. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
