Jamal Musiala zhvilloi një paraqitje shumë të mirë në fitoren e kombëtares gjermane në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës. Performanca e tij mbresëlënëse, e kurorëzuar edhe me një gol, kishte një domethënie të veçantë për yllin e Bajernit.
Talenti gjerman foli me entuziazëm për fitoren 7-1 ndaj Curaçaos dhe kujtoi me emocion golin e tij për rezultatin 4-1: “Goli më bëri jashtëzakonisht mirë. Nuk mendoj se kam qenë kaq i lumtur që nga dëmtimi im sa isha në atë moment”, zbuloi Musiala, duke dhënë një pasqyrë të gjendjes së tij emocionale. “Ishte pa dyshim një nga ndeshjet e mia më të mira që prej rikthimit.
Shumë gjëra shkuan mirë, u ndjeva i lirë dhe shumë mirë në fushë. Do ta marr me vete këtë ndjesi”, shtoi ai. Jamal Musiala qëndroi jashtë fushave për rreth gjashtë muaj pas thyerjes së këmbës në Kupën e Botës për Klube. Më pas ai kaloi muaj të tërë duke luftuar për të rikthyer formën e tij më të mirë, duke kapërcyer pengesa të shumta gjatë rrugës.
“E di që kjo është pjesë e të qenit futbollist. Rruga e rikthimit kërkoi shumë punë dhe durim. Ndonjëherë ishte rraskapitëse, por jam i bindur se edhe kur gjërat nuk janë të lehta, duhet të përqendrohesh te aspektet pozitive, edhe pse ndonjëherë kjo është e vështirë”, shpjegoi Musiala. “Pa dyshim që këtë vit kam mësuar më shumë se kurrë.
Jo vetëm për futbollin, por jam rritur edhe si person. Tani e di se për tu rikthyer pas një dëmtimi kaq të rëndë si ai që përjetova, nevojitet shumë durim. Hapi që bën më pas është edhe më i madh. Kështu e shoh unë”, tha sulmuesi. Fakti që Musiala ishte titullar në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës nuk ishte aspak i sigurt.
Disa ekspertë televizivë kishin debatuar para takimit se sa minuta duhej të luante ai. Vetë lojtari nuk u shqetësua nga këto diskutime. “Më besoni, unë nuk shoh dhe nuk lexoj asgjë nga ajo që thonë ekspertët. Mund ta imagjinoj lehtësisht se çfarë thuhet, sepse kam kohë në botën e futbollit. Por me vetëdije zgjedh të qëndroj larg këtyre komenteve dhe shkrimeve për mua.
Përqendrohem vetëm te vetja. Për mua është shumë e rëndësishme që mendja ime të jetë e qartë. Vetëm atëherë mund të ndihem i freskët në fushë”, siguroi Musiala. “Tomas më dërgoi një mesazh para ndeshjes me Curaçaon dhe më uroi fat. Ai më jep herë pas here edhe këshilla,” përfundoi Musiala.
