Derisa PDK-ja dhe Aleanca përmes veprimit dhe qëndrimit në Kuvend po kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive, LDK-ja ka mbledhur grupin parlamentar në selinë e partisë, në lidhje me çështjen e tejkalimit të afatit për konstituimin e Kuvendit. Mirëpo, edhe nga kjo parti thonë se edhe ata kanë qenë në Kuvend këto dy ditë, anipse me veprime janë parë vetëm këto dy të parat.
Deputetë të LDK-së thanë para mbledhjes se po, janë pro që duhet të vazhdojë seanca konstituive, por nuk treguan se pse nuk i janë bashkuar PDK-së dhe Aleancës gjatë këtyre dy ditëve të fundit në veprimet që kanë ndërmarrë në përpjekje që të vazhdohet seanca konstituive. “Çdo ditë jam në Kuvend. Çdo ditë jam në Kuvend. Edhe sot isha në Kuvend.
Ne jemi në përkrahje të mbrojtjes së Kushtetutës, kurse qëndrimet më në detaje do t’i publikojmë sot menjëherë pasi të përfundojë takimi i grupit parlamentar”- tha deputetja Vjosa Osmani më . Ndërkaq Visar Azemi nga kjo parti tha se grupi parlamentar do të mblidhet dhe do të marrin vendime. “Ta shohim lartë, ta shohim lartë. LDK-ja nuk ka mungu, dje ka qenë në Kuvend”- tha Azemi.
Kurse, Anton Quni tha se në këtë mbledhje do të këmbejnë mendimet dhe vlerësimet e tyre. “Do të japim këshilla, ide, propozime. Do të dëgjojmë njëri-tjetrin me vëmendje. Në lidhje me pjesëmarrjen në Kuvend, do të thotë, Lidhja Demokratike e Kosovës përmbahet nga situatat ku mund të gjenerohen incidentet, problemet e tjera.
Ne bëjmë thirrje të jemi sa më të qetë edhe me arsyshmëri, me racionalitet, duke dëgjuar njëri-tjetrin, t’i zgjidhim të gjitha problemet”- tha ai për media. Quni tha se natyrisht që do të duhej një seancë konstituive të mbahet sa më shpejt.
“Me tërë spektrin politik ne jemi të interesuar që të bashkëpunojmë që sa më shpejt të zyrtarizohen, të ngriten institucionet e Republikës së Kosovës”- tha Quni.
Ndërkohë, PDK dhe Aleanca kanë kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbahet nesër në orën , duke i bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që ta thërrasë atë në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Të dy këto parti kanë bërë këtë kërkesë përmes shkresës zyrtare.
Në shkresën e Aleancës, theksohet se kërkesa bëhet “në mbështetje të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila përcakton detyrimin për mbajtjen e seancës konstituive brenda afatit të përcaktuar prej 48 orësh”.
Ndërkaq, PDK në letrën e protokolluar më , PDK thekson se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në aktgjykimin e , Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar se procedura e konstituimit të Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar nëse nuk zgjidhen organet e tij drejtuese.
Ky interpretim është bërë pikë referimi në debatin aktual, ndërsa partitë vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të tejkalohet ngërçi. Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar edhe pasi që ka kaluar afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregullore të Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së saj. Megjithatë, seanca konstituive akoma nuk ka përfunduar. Një vazhdim i saj është mbajtur më , ndërsa më pas nuk është thirrur vazhdim tjetër.
