Protestat, për qeverisje shumë më të mirë e jo “u bë deti kos”, për poste!

0%

Arlind Qorrat, ndonjë tjetër “syshqiponjë” apo “sybuf” si dhe të tjerë të miellit dhe brumit Soros- Edi Rama- Erion Veliaj, ish sigurimsa aktivë në Shqipëri e në Diasporë, lihet hapësirë e bollshme të mendohet se me protestat për Zvërnecin, për ata, po bëhet “deti kos, për me kap një post”…! Pas 15 ditë protestash është kuptuar se disa nga ata që synojnë të kapin drejtimin e shtabit të protestave e të vjelin frytet apo përfitimet më të shumta, në vetvete edhe mund të mendojnë edhe thirrjen: t’i vazhdojmë protestat, o shokë e shoqe, miq e mikesha, ta rrëzojmë sa më shpejt Rama- qeverinë! Kështu një ditë jo të largët, sa të jetë “deti kos”, mund të kapim ndonjë post, që na nxjerr personalisht e familjarisht nga këneta me baltë e na fut një zyrë të florinjtë apo të mjaltë…! Ky qëllim apo kjo dëshirë e këtyre individëve me ideal vetëm një karrige pushteti dhe vjeljen prej tyre të sa më shumë milionave dhe pronave, është lehtësuar apo ndihmuar edhe nga “strategjia” e hapur apo “e fshehtë” dhe nga rrugëtimi i deri sotshëm protestave…Siç është bërë e qartë ato u paramenduan dhe u zhvilluan të qeta, pa përplasje të dhunshme me forcat e rendit e të Policisë Speciale. Që në nisje rrjedha e protestave dukej si “e rastësishme” apo edhe ngjashëm me një shëtitje, me sebep apo kartë të fortë të sinqertë Zvërnecin dhe mbrojtjen e kësaj cope shumë të vyer SHQIPËRI, për më tepër me shumë histori dhe thesare e me perspektivë për t’i dhënë shumë jo vetëm financiarisht Shqipërisë dhe shqiptarëve. Të mirëkuptohemi: këto protesta nuk kishin qysh në ideim dhe startim e nuk kanë as deri sot e në vazhdim, si qëllim dhe kërkesë mbylljen apo djegien e mundësive për investime të pastra e të ligjshme nga SHBA e nga familja Jared Kushner dhe Trump, çka e propagandojnë me qëllim të lig e keqdashje kryeministri Rama dhe “kori” i tij partiak, qeveritar, mediatik, patronazhist…! Ato ishin të frymëzuara apo nxitura më shumë nga dëshira dhe kërkesa për transparencë dhe sinqeritet të plotë si për investitorët e bërë të njohur ashtu edhe për ata partnerë, shumica me origjina dhe cv plot njolla ligjore e dyshime për mungesë pastërtie pasurish. Njëherazi, kanë si objektiv edhe ruajtjen e integritetit territorial, të pasurive natyrore dhe të mjedisit në Zvërnec dhe Sazan! Viktima të afro 82 vitesh premtimesh të parealizuara apo mashtrimesh të përjetuara, nga politikanët dhe pushtetarët më të lartë, me plot arsye e të drejtë, protestuesit donin e duan të dinë më me shumë saktësi dhe transparencë edhe për të mirat që do të kishte Vlora dhe gjithë Shqipëria nga projektet në këtë zonë, perlë natyrore dhe me shanse të mëdha për turizëm elitar! Protestuesit kishin e kanë plotësisht të drejtë të kërkonin dhe dinin më shumë informacion edhe për ortakët shqiptaro-mafiozë janë skenarizuar dhe projektuar edhe për tua rrëmbyer Shqipërisë dhe shumicës së shqiptarëve të thjeshtë e të ndershëm këtë copë “të artë”, edhe për ta bërë dhe shfrytëzuar si një kompleks gjigand lavatriçesh të mëdha për pastrimin e miliardave të pistë shqiptare e ndërkombëtare! Prandaj, “kori miks “ antiprotesta po investon pa u kursyer dhe po punon pa u lodhur për ti njollosur deri në absurdin si antiturizëm, antikombëtare, antimirëqenie të përgjithshme…!? Siç është shprehur dhe kuptuar, sidomos gjatë këtyre 10 viteve të fundit, investimet e huaja me fatura të gënjeshtërta e të shumëfishuara, nga pak miliona në disa miliarda, kanë qenë e janë më shumë për konsum dhe efekt propagandistik dhe mashtrues. Këtë e kanë shprehur si shmangia e shumicës së tyre nga detyrimet fiskale apo tatimore, ashtu edhe ndikimi i tyre pothuajse i pandjeshëm në nivelin e jetesës dhe mirëqenies së shumicës së shqiptarëve. Kështu është kuptuar dhe shprehur se komplekset e mëdha e moderne turistike, shumica me firmat e Edi Ramës dhe Linda Ballukut, në ndërtim dhe turizëm e jo në sektorë të mëdhenj prodhimi industrial, ku nuk punësohen mijëra qytetarë vendas dhe nga të cilat nuk kanë përfitime të ndjeshme financiare e jetësore shumica e popullit, janë thjeshtë lavatriçe për pastrimin e miliardave nga prodhimi dhe tregtimi me tonelata i drograve! Si të tilla ato nuk kanë sjellë shanse konkrete e mundësi të përjetueshme për rritjen e ndjeshme të punësimit dhe të mirëqenies së shumicës së popullit si dhe për uljen e fortë të emigracionit në moshat e reja, nga 20-50 vjeç dhe më së shumti, me diploma universitetesh në Shqipëri e vende të tjerë dhe me aftësi dhe përvojë të treguar në vepra konkrete dhe gjatë shumë viteve karrierë të suksesshme dhe punë të vlerësuar! Komplekset e turizmit elitar, sipas trurit dhe llogarive të Edi Ramës dhe të ortakëve të tij, janë më së shumti, grabitje të pronës shtetërore dhe private 100% të ligjshme! Prej tyre kanë përfituar dhe fitojnë vetëm bosët me familje, klane, banda…Edhe një grusht njerëzish, që u shërbejnë si shërbëtorë, skllevër, si punonjës në drejtim, por edhe si roje, eskorta, vrasës me pagesë…!? Mungesa e informacionit të plotë e publik për majën e piramidës së protestuesve ka dhënë shkas apo arsye të mendohet me frikë dhe dyshime të logjikshme se mes tyre mund të ishin edhe “kukulla” apo “kuaj dhe pela Athine e Beogradi, ish Sigurimi enverian, Sorosi, të mafies shqiptare, ballkanike, italiane, latino-amerikane, arabe …” Gjithsesi e fatmirësisht, pikërisht për shkak të këtij “spontaniteti”, normaliteti dhe konfindencialiteti, deri në formën e një sekreti, u arrit t’i imponohej qeverisë frenim i fortë apo vetëpërmbajtje pa dëshirë në veprime dhe deklarime agresive apo të dhunshme; medias një vizion dhe diskurs i ri; opozitës ndryshim mendimi, qëndrimi dhe frazeologjie. Atyre që e sulmuan në fillim me rezerva, paragjykime, dyshime, skepticizëm u imponua bashkimi me gjysmë mendje e zemre me të. Kjo liri dhe vendosmëri për të protestuar deri në përmbushjen e objektivave e të parullave, me shumë gjasa, më tepër ndikuar nga poshtë se nga lart, e ka bërë të pafikshme këtë protestë popullore, që mbart njëherazi optimizëm tek shumica e popullit, të zhgënjyer dhe lodhur fort nga 35 vjet endjeje si në lëmenj pa bereqet nën këmbë, në duar dhe në thesë si dhe frikë e panik në majën e Olimpit politik e qeverisës në Shqipëri! Megjithatë, ngritja e një përfaqësie, që do të negociojë kthimin e qytetarëve në shtëpi, në këmbim të pranimit të qeverisë teknike e të zgjedhjeve të parakohshme, me të vërtetë të lira e të ndershme, është si një thikë me dy presa e me rreziqe të njohura e të paparashikuara. Një protestë pa platformë dhe kauzë të qartë; pa lider me imazh publik dhe intelektual; pa integritet të spikatur; një lëvizje qytetare pa karakter të qartë e të pastër politik, sipas gjykimit tim, është thjeshtë një lëvizje masive, më tepër për konsum mediatik e propagandistik se sa për një ndryshim pozitiv drastik! Rreziqet mund të shtohen dhe zmadhohen, sidomos në kohën e zgjedhjeve të parakohshme, nëse u lihet hapësirë “grevëthyesve” apo “protestashuesve” të damkosur në ballë si proqeveritarë apo akoma pa iu shklyer krejt maskat e “të pavarurit” apo “opozitarit” me të dy krahët, këtë mund të ndikojë ndjeshëm edhe sistemi zgjedhor i pranverës 2008 apo “pjellë e keqe” e marrëveshjes Berisha- Rama! Një mundësi tjetër për rreziqe mund të vijë nga fakti se në zgjedhjet e parakohshme PS e PD kanë shanse më të mëdha për më shumë mandate dhe për daljen si në zgjedhjet e mëparshme në vendet 1 e 2. Me këto shanse dhe avantazhe, dhurata nga politizimi dhe partishmëria majtas e djathtas e shumicës së popullit si dhe nga “ushtritë proqeveritare” të administrativistëve dhe patronazhistëve, ato mund t’i falin disa krerëve të protestës ca karrige në Kuvend apo disa poste qeverisës pa peshë të rëndë. Por, ky kompromis e kjo përmbyllje rrezikon “ta vdesë” protestën, pa përjetuar fitoren e madhe mbi këtë qeveri të kapur nga mafia dhe të përmbytur nga korrupsioni, si asnjë tjetër më parë në këta 114 vjet shtet shqiptar! Edhe pa njohur ortakët e saj shqiptarë e ndërkombëtarë akoma të maskuar me letra projektesh nëpër dosje e me vlera fiktive e mashtruese miliardash në euro ose metra katrorë tokë shqiptare, falur sikur të ishte pronë familjare apo shitur fare lirë, sa me thënë, sa me la gojën, se është shit- blerje…! Njëkohësisht, stërzgjatja e protestave të rinisë studentore sa e si në Serbi, prej rreth 1 vit e gjysmë, pa e rrëzuar Vuçiçin; përmbyllja e tyre pa sukses dhe pa fitore apo me një pazar të ri politik allashqiptar, me një “Katovica 2”, me “Qeveri teknike 2017(2)” apo, mos o ZOT, me një vetëvrasje të dytë shtetërore, me 1997- të të dytë…, do të shkaktonte edhe zhgënjimin e shumë pjesëmarrësve e mbështetësve të protestave antiqeveritare! Kështu do të dobësohej dhe shuhej ngadalë e pandalshëm edhe fryma emancipuese dhe qytetare, që po sjellin këto protesta, pas afro 13 vitesh qeverisjeje autoritariste, deri në diktaturë të hapur apo ca më liberale ose tolerante. Gjithsesi, t’i shmangim apo flakim tutje hamendësimet dhe dyshimet e të kemi më shumë shpresë tek ZOTI në qiell se tek robt e politikës shqiptare në seli partishë, në sheshet e protestave e në parlament se këto protesta do të përmbyllen me suksesin e shumëdëshiruar e të shumëpritur! omethënë, me shporrjen si kryeministër të Edi Ramës e si ekip qeveritar, mbush me “kukulla” apo “diella prej mishi e gjaku”; krijimin e një qeverie shumë më të mirë në të gjitha drejtimet, jo me kryeministër të zgjedhur në rrjete sociale, fshatçe apo partizançe, por një personalitet i denjë për atë post e për gjendjen problematike e kritike, në të cilën ndodhet Shqipëria e këtyre viteve të fundit. Edhe më SHQIP, jo me një kryeministër që ka menduar dhe do të mendojë më shumë për veten, gruan, dy fëmijët, vëllain, miqtë, ortakët, “investitorët strategjikë”, patronazhistët…! Mbi të gjitha, të një qeverie shumë më shqiptare, shumë më njerëzore, qytetare, sociale… se të gjitha të tjerat e këtyre 82 apo 35 viteve, 70 vjet nën drejtimin e PKSH- PPSH- PSSH e 12 vjet të PD-së!

Burimi: Bota Sot