Vendimi i VAR-it në ndeshjen Francë – Senegal që i habiti gjyqtarët më të mirë në botë

0%

Një nga momentet më të diskutueshme të Kupës së Botës 2026 ndodhi në përballjen mes Francës dhe Senegalit, kur një vendim i gjyqtarit pas ndërhyrjes së VAR-it la të habitur jo vetëm tifozët dhe analistët, por edhe disa prej gjyqtarëve më të njohur në botë. Në minutën e 58-të, me rezultatin ende 0-0, sulmuesi francez Kylian Mbappe u rrëzua brenda zonës pas një kontakti me kapitenin e Senegalit, Sadio Mane. Gjyqtari Alireza Faghani u thirr nga VAR-i për të rishikuar rastin në monitorin pranë fushës. Pas konsultimit me pamjet, Faghani u rikthye në fushë dhe fillimisht krijoi përshtypjen se do të akordonte penallti për Francën. Megjithatë, ai sinjalizoi goditje nga porta, duke argumentuar se ishte Mbappe ai që kishte iniciuar kontaktin. Vendimi shkaktoi reagime të menjëhershme. Darren Cann, ish-ndihmës gjyqtar në finalen e Kupës së Botës 2010, deklaroi për BBC se kishte marrë mesazhe nga disa prej gjyqtarëve më të mirë në botë, të cilët nuk arrinin të kuptonin pse nuk ishte dhënë penalltia. “Telefoni im është mbushur me mesazhe nga gjyqtarë të nivelit më të lartë që gjithashtu nuk e kuptojnë pse nuk u akordua penallti”, ka thënë Cann. Edhe ish-anësori i Skocisë, Pat Nevin, e cilësoi vendimin si “absurd”. “Nuk ka asnjë logjikë. Si mund të thuhet se Mbappe e inicioi kontaktin? Është një nga shpjegimet më të pakuptimta që kam dëgjuar ndonjëherë”, u shpreh ai. Në të njëjtën linjë ishte edhe legjenda e Anglisë, Alan Shearer. “Nuk e kuptoj fare. Mund të shihet qartë ndërhyrja e Manes dhe fakti që këmba e tij e majtë godet Mbappen. Si mund ta ketë iniciuar kontaktin Mbappe kur ai ndodhej përpara kundërshtarit? Është vërtet një vendim i çuditshëm”, deklaroi Shearer. Pavarësisht polemikave, Franca arriti të triumfojë me rezultatin 3-1 ndaj Senegalit. Protagonisti kryesor ishte pikërisht Mbappe, i cili realizoi dy gola dhe hyri në histori si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Francën, duke kaluar Olivier Giroud me 58 gola në 99 paraqitje. Sulmuesi i Real Madridit vendosi gjithashtu një tjetër rekord, duke u bërë golashënuesi më i mirë i Francës në historinë e Kupës së Botës me 14 gola në vetëm 15 ndeshje të turneut. Pas ndeshjes, edhe trajneri i Francës, Didier Deschamps, shprehu pakënaqësinë e tij për vendimin. “Sa i përket situatës në zonë, pati një rishikim nga VAR-i dhe nuk do t’ju tregoj çfarë i thashë gjyqtarit të katërt. Kur gjyqtari tha se Kylian kishte nxjerrë këmbën përpara, nuk jam i sigurt se pashë diçka të tillë. Sipas mendimit tim duhej të jepej penallti. Por gjyqtari është gjithmonë ai që vendos”, deklaroi Deschamps. Edhe Darren Cann mbeti i bindur se vendimi ishte i gabuar. “Për mua ishte një penallti e pastër. VAR-i bëri gjënë e duhur duke e dërguar gjyqtarin te monitori, prandaj jam jashtëzakonisht i surprizuar që ai nuk tregoi pikën e bardhë”, përfundoi ish-gjyqtari anglez.

Burimi: Telegrafi