Një tentativë për t’u dhënë ryshfet zyrtarëve policorë në pikëkalimin kufitar në veri të vendit i ka kushtuar me arrestim dhe ndalim 48-orësh një 38-vjeçari, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është V.M., rreth 38-vjeçar , i cili dyshohet se ka tentuar t’u japë 50 euro ryshfet zyrtarëve policorë kufitarë.
Siç mëson Sinjali, për rastin është njoftuar Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia Rajonale në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët e së cilës kanë ndërmarrë veprimet hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit. Kartëmonedha prej 50 eurosh, e cila dyshohet se ishte ofruar si ryshfet, është sekuestruar përkohësisht si provë materiale.
I dyshuari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa hetuesit kanë marrë deklaratat edhe të dy dëshmitarëve dhe kanë kryer procedurat e tjera lidhur me rastin. Pas analizimit të rrethanave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që V.M të ndalohet për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Dhënie ryshfeti” dhe hetimet do të vazhdojnë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë të Veriut, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
