Një 38-vjeçar është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, pasi dyshohet se ka tentuar t’u japë 50 euro ryshfet zyrtarëve policorë në një pikëkalim kufitar në veri të vendit. Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Vlada Mitrovic, rreth 38-vjeçar .
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari dyshohet se ka tentuar t’ua ofrojë shumën prej 50 eurosh zyrtarëve policorë kufitarë, me qëllim që të ndikojë në veprimet e tyre gjatë kontrollit në pikëkalimin kufitar. Për rastin është njoftuar Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësia Rajonale në Mitrovicë të Veriut.
Hetuesit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në koordinim me Prokurorin e Shtetit. Kartëmonedha prej 50 eurosh, e cila dyshohet se është ofruar si ryshfet, është sekuestruar përkohësisht si provë materiale. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa janë marrë deklaratat edhe të dy dëshmitarëve dhe janë kryer veprime të tjera hetimore.
Pas përfundimit të veprimeve fillestare hetimore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e Mitrovic për 48 orë. Rasti është iniciuar për veprën penale “Dhënie ryshfeti” , ndërsa hetimet do të vazhdojnë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë të Veriut, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Tentoi t’i korruptojë policët në kufi me 50 euro – 38-vjeçari përfundon në ndalim Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
