Nuk ka pika kontrolli a kalime kufitare të dukshme që ta prishin bukurinë e shtegut ‘Majat e Ballkanit’, ani pse nuk është e pazakontë të nisësh një ditë të gjatë me ushtrime fizike me një mëngjes të bollshëm në një vend, pastaj të ngopesh me një darkë të bereqetshme shtëpie në një tjetër, shkruan Lianne Kolirin për CNN .
Shtegtimi prej nja 190 kilometrash gjarpëron brenda e jashtë Malit të Zi, Shqipërisë e Kosovës – ndonjëherë përshkon disa pika gjatë një dite të vetme ecjeje – mbi vargmalin e njohur si Bjeshkët e Nemuna.
Ndërsa ky emër mund t’i ketë dekurajuar fillimisht të gjithë përveç aventurierëve seriozë – kryesisht nga Evropa veriore – shtegu me ndryshim të vazhdueshëm tani po fillon t’i bëjë për vete vizitorët nga krejt bota për t’ia eksploruar majat e larta gëlqerore, liqenet akullnajore, livadhet me lule të egra dhe pyjet me re të avullta.
Ato ofrojnë paqe e qetësi që rrallëkund e ndjen në zonat jugore të kontinentit. Malet në fakt e kanë marrë emrin nga mjedisi i tyre i pafavorshëm sezonal. I shkon për shtat po aq shumë shkaku i izolimit të epokës së Luftës së Ftohtë që dikur i kishte kthyer në pjesë të ndaluara.
Sot, ato janë shtëpia e asaj që me sa duket është bërë e njohur si zona e fundit e madhe e egër e Europës – një peizazh që i ka ngjitur Majat e Ballkanit në krye të listës së shtigjeve më të mëdha transnacionale të ecjes në botë.
Shtegu ‘Majat e Ballkanit’, Foto: Getty Images/CNN Shkathtësitë teknike të ngjitjes nuk është se janë të domosdoshme janë, por ama kjo nuk është çfarëdo shëtitjeje. Joshja e ashpër e këtyre maleve kërkon një palë çizme të forta, një çantë shpine të mbushur me kujdes dhe nivel të mirë fizik.
Ngjitjet janë të pjerrëta dhe i gjithë shtegu ka një rritje kumulative të lartësisë prej gati 35 mijë pashësh, barabar me shumë mbi Rrafshnaltat e Everestit. Këshillohet njëfarë trajnimi para udhëtimit, si dhe një palë shkopinj të mirë ecjeje.
Kjo shpejt e bëhet e dukshme në zhegun e një dite vere kur përpjetëzet mund të duken sikur shtrihen pafundësisht, duke u kthyer në ecje të avashtë e ku trupi kullon djersë. As teposhtat nuk janë ecje pikniku, meqë kërkon qëndrim të kujdesshëm dhe ekuilibër të qëndrueshëm.
Zonë rreziku Megjithatë, krejt mundi në fund ia vlen, me përpjekjen e madhe që përputhet me pamjet madhështore në krye të çdo majë – një mundësi për të frymuar dhe për t’u mahnitur me mjedisin natyror me një heshtje që ta shkrin shpirtin.
Qejfi i qejfeve është pushimi, dreka dhe ndalja për not në akull në liqenin madhështor Hrid të Malit të Zi, i shtrirë më shumë se një kilometër e gjysmë mbi nivelin e detit – një bonus shtesë. Qielli i kaltër pa re dhe uji i kaltër i pastër si loti ku mund të zhyteni, dhe krejt këto kombinohen njëshëm për ta krijuar një peizazh të denjë “për ta ngrirë në ekran”.
Shumë pjesë të shtegut Majat e Ballkanit – të cilat mund të shkelen brenda 10 ditësh ose të ndahen në seksione më të vogla – përshkojnë shtigjet tradicionale tregtare të cilat u mbyllën nga gjeopolitika për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të.
Rajoni ishte një zonë rreziku e ruajtur me sytë katër gjatë Luftës së Ftohtë, diçka që sot e kësaj dite mbetet tepër e dukshme në Shqipëri, ku peizazhi është i shpërndarë me bunkerë betoni të papërdorur të ndërtuar në kohën e liderit komunist, Enver Hoxha.
Për më shumë se katër dekada, shqiptarëve iu ndalua dalja nga vendi për shkak të politikave namzeza izolacioniste të diktatorit, të cilat Shqipërisë ia nxorën namin e “Koresë së Veriut të Europës”. Shqipëria, Kosova e Mali i Zi u prekën rëndë nga rënia e bllokut sovjetik, shpërbërja e Jugosllavisë dhe luftërat pasuese të viteve 1990 dhe fillimshekullit të 21-të.
Ka pak shenja përkujtuese gjatë rrugës, pos bunkerëve të braktisur a ndonjë automjeti të vjetër ushtrie, gjë që ndoshta është edhe e mirë; shumëkush mendon se temat e qeverisjes, politikës e nacionalizmit është më mirë të mbahen larg këtyre oazave paqësore.
Në të vërtetë, shtegu i ecjes fillimisht u quajt “shtegu i paqes” kur u hodh më 2006 si pjesë e përpjekjeve për t’i ndryshuar perceptimet globale për Ballkanin.
“Shumica e botës e njeh këtë rajon për shkak të konfliktit dhe luftërave”, thotë Dushan Dragosavleviq, udhërrëfyes shtegu, njohuria e saktë e të cilit për peizazhin ia lejon të rrëfejë se ku një pjesë e pyllit të dendur e kalon pavrejtshëm në një shtet fqinj. “Pra, mendoj se shtegu Majat e Ballkanit është mënyrë vërtet e mirë për ta ndryshuar atë imazh dhe krejt rrëfimin”.
Tjetër botë Varësisht thellësisë së dikujt, angazhimi i një guide profesionale si Dragosavleviq – i cili drejton udhëtime për firmën serbe A.C.E. Adventure – mund të jetë një investim i duhur, jo vetëm për njohuritë e tij për shtegun e sinjalizuar dobët, por edhe për pasurinë e njohurive të tij për rajonin. Ai do ta përshkonte shtegun për herë të parë nga fillimi në fund në vitin 2017.
Në ditët e para, thotë ai, ishte popullor vetëm me guidat malore, dashamirësit e natyrës dhe alpinistët seriozë. Me kalimin e kohës nisi ta rrokte vëmendjen e shumëkujt pasi kufizimet e Covid-it filluan të zbuteshin, por sidoqoftë ende është një cep i pazbuluar i Europës.
Majat e Ballkanit, shteg pas shtegu Theth, Shqipëri – Valbonё, Shqipëri. 13.9 kilometra Valbonё, Shqipëri – Çerem, Shqipëri. 19.8 kilometra Çerem, Shqipëri – Dobërdol, Shqipëri. 15.6 kilometra Dobërdol, Shqipëri – Milishevc, Kosovë. 18.2 kilometra Milishevc, Kosovë – Reka e Allagёs, Kosovë. 16.2 kilometra Reka e Allagёs, Kosovë – Kuçishtë, Kosovë. 23.3 kilometra Kuçishtë, Kosovë – Babino Polje, Mali i Zi. 9 15.8 kilometra Babino Polje, Mali i Zi – Plavë, Mali i Zi. 20.3 kilometra Plavë, Mali i Zi – Vusanje, Mali i Zi. 27.4 kilometra Vusanje, Mali i Zi – Theth, Shqipëri. 21.4 kilometra “Ka shumë territor të ri për t’u eksploruar, veçanërisht në Shqipëri e Kosovë”, thotë Dragosavleviq.
“Ballkani ka shumë për të ofruar, jo vetëm në aspektin e natyrës dhe bukurisë, por edhe në aspektin e mikpritjes, në aspektin e kulturës. “Nuk jam i sigurt nëse njerëzit e dinë, për shembull, sesa herë që ndodhesh në Ballkan pa asnjë lloj akomodimi, a nëse mbetesh pa ushqim, njerëzit do të të ndihmojnë — njerëzit e Ballkanit janë shumë mikpritës”.
Ai thotë se shtegu ka transformuar jetën e shumë njerëzve në rajon. Bujqit që dikur e siguronin jetesën duke u kujdesur për të korrat e bagëtinë në terrenin e ashpër, tani po i shtojnë të ardhurat e tyre nga blegtoria përmes turizmit. Adis Baliq – i cili drejton restorantin dhe shtëpinë e mysafirëve “Grlja” në Vusanje, fshat malazez pranë kufirit me Shqipërinë – është njëri prej tyre.
“Gjithçka në jetën tonë këtu ka ndryshuar që nga hapja e shtegut”, thotë ai, duke gjerbur një kafe të zezë turke ndërsa një qenush nuk i lë rehat klientët e tij në stolat e piknikut aty pranë.
Baliq, i cili ka gjithashtu një lokal të dytë në qytetin e afërt Guci, thotë se familjet si e tija ishin në një situatë ekonomike “mjaft të dobët” para se shtegu të hapej zyrtarisht, kur alpinistët i numëroje në gishta.
“Gjatë ditës do të kishe ndoshta dy a tre alpinistë me çanta shpine dhe shumica e njerëzve nga zona do t’i shikonin çuditshëm, si ‘çfarë po bëjnë?’ Ishte një pamje krejtësisht e ndryshme atëherë”. Restoranti dhe bujtina e tij, e cila u hap shtatë vjet më parë, mban emrin e ujëvarës mahnitëse që magjeps një turmë vendasish e turistësh disa hapa larg.
Bujtina ofron shtretër për 15 persona në katër dhoma, megjithëse shumica e vizitorëve që kalojnë andej flenë nën kanavacë. “Kur e nisëm biznesin, kishim rreth 400 kampistë në vit dhe këtë sezon kemi më shumë se 3.400 kampistë”, thotë ai. “Ka qenë vërtet mirë”. Shtegu mbetet ende kryesisht i paprekur nga turizmi masiv. Sezoni i pikut zgjat nga qershori deri në shtator.
Maji dhe tetori ofrojnë njashtu mundësi, ama vijnë bashkë me mundësinë e borës dhe më pak zgjedhje kur bëhet fjalë për konak për të ngrënë e fjetur. “Grlja” ka meny me ushqime tradicionale, kryesisht të përgatitura nga përbërës të rritur e të prodhuar nga familja e Baliq.
Ka një bollëk gatimesh me mish, të pjekura në grill përsosshmërisht dhe të shërbyera me sallata, djathëra e salca shtëpie, përfshirë ajvarin, përzierjen e pasur me speca të pjekur ngadalë e patëllxhan që është një element kryesor në tryezat e ngrënies përgjatë shtegut. “Babai im mbledh perimet në mëngjes dhe në mbrëmje i kemi në tavolinë”, thotë ai.
Në ditët e para, shumica e vizitorëve të shtegut ia behnin nga Gjermania, Belgjika a Holanda. Sot e rrahin jo vetëm alpinistët, por verës edhe malazezët e të huajt që kthehen këtu nga Shtetet e Bashkuara, Europa Perëndimore dhe vende të tjera. “Nuk ka kombësi që nuk vijnë”, thotë Baliq. “Keni australianë, neozelandezë… njerëzit vijnë në thelb nga e gjithë bota”.
“Çka i magjeps më shumë janë malet – pamjet dhe mënyra sesi janë ruajtur ato. Ajo për të cilën janë më mirënjohës janë vaktet tradicionale dhe mikpritja”. Baliq mbikëqyr personalisht kuzhinën e vogël të fshehur poshtë dhomave të tij të mysafirëve, duke u siguruar që gjithçka që shërbehet të jetë e standardit të lartë.
“Nuk i shoh vizitorët si turistë që do të vijnë këtu vetëm një herë dhe nuk do të kthehen më kurrë”, thotë ai. “Mesazhi im është: juve nuk ju shoh vetëm si para, ju jeni klientë afatgjatë dhe do të sigurohem që të gjithë që të vijnë këtu të ushqehen mirë e të largohen me p♪7rshtypje të mirë”.
Një mikpritje e tillë është e dukshme në krejt shtegun, ku njerëzit e malit e kanë hapur zemrën me stilet e tyre të jetesës të kahershme tradicionale, ndërsa kafshët e tyre ahurishteve enden rreth e qark.
Tabaka të zeza informuese që ofrojnë ushqime të përgatitura në shtëpi, si bakllava, tortë me mjedra dhe kos të trashë të përzier me mjaltë të prodhuar nga bletët e tyre – së bashku me kavanoza të ftohtë me pije freskuese – janë një pamje e mirëpritur për shtegtarët e lodhur, njashtu si edhe privatësia relative e ofruar nga banjot e thjeshta.
“Është e përsosur” Në Shqipëri, Kujtim Gocaj ka hapur një bujtinë të rehatshme me emrin e tij në fshatin e largët Cerem. Oficeri 63-vjeçar i policisë e drejton biznesin si sipërmarrje anësore qe 14 vjet, por shpreson se do të bëhet fokusi i tij kryesor kur pas dy vjetësh t’i zhveshë uniformat policore që të dalë pension.
“E fillova që të kem një të ardhme”, thotë ai, duke folur përmes dhëndrit që ia anglishizon shqipen, derisa shërben ushqim e i pastron tavolinat. Fillimisht, punonte vetëm me një ndërtesë, para se ta shtonte një strukturë të re prej pishe me shumë vende piktoreske rretherrotull për klientët më 2019.
Sot, prona u shërben deri 36 personave në një përzierje fjetoresh e dhomash private me banjo. “E rrita këtë nga një gjë e vogël në atë që është tani”, thotë ai. “Në fillim ishte e vështirë, por tani është shumë më mirë. Njerëzit e duan këtë vend dhe të gjithë në zonë e dinë”. Përfitimet për Gocajn e familjen e tij nuk janë vetëm financiare.
“Nuk mund ta shpjegoj as sa i mirë është”, thotë ai. “Mësojmë kaq shumë nga të gjithë njerëzit që vijnë këtu nga e mbarë bota – është si edukim. Është e përsosur”. Me motin e tyre shumë të paparashikueshëm, Bjeshkët e Nemuna ende mund t’a justifikojnë emrin.
Stuhi të egra që mund të godasin shtegun e ta rrahin me orë të tëra, duke prishur oraret e shtegtimit e duke i lënë vizitorët me pak mundësi, pos të strehohen në akomodime zori shtigjeve, shpesh të shndërruara në kasolle barinjsh. Jashtë sezonit turistik, mund të jetë shumë më keq. “Dimri është katastrofik”, thotë Baliq.
“Është mjaft e zakonshme këtu të ketë një metër reshje dëbore dhe pastaj gjithçka të mbyllet”. Ai beson se rajoni mund ta zgjerojë atraktivitetin përtej sezonit të alpinizmit me disa investime në sportet dimërore. “Ju duhet vetëm një teleferik skish, dhe njerëzit do të vinin me ski e kjo do të ishte mirë”.
Është një perspektivë e largët për momentin, por ndoshta jo e pamundshme duke pasur parasysh sa shumë ka filluar rajoni të tërheqë vizitorë nga larg e më larg. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
