SHKK-ja ashpërson standardet në burgje: Rregulla të reja për

0%

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka nënshkruar sot kodin e mirësjelljes së personave të burgosur në institucionet korrektuese dhe udhëzuesin për zbatimin e kritereve dhe sqarimin e faktorëve për shfrytëzimin e pushimit jashtë institucionit korrektues për personat e dënuar.

Të dyja këto akte synojnë të forcojnë standardet e sigurisë, rendit dhe disiplinës në institucionet korrektuese, duke krijuar një qasje më të qartë dhe të standardizuar në menaxhimin e personave të burgosur dhe në proceset që lidhen me rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre.

Kodi i mirësjelljes përcakton rregullat dhe standardet e sjelljes që duhet të respektohen nga personat e dënuar dhe të paraburgosur gjatë gjithë qëndrimit të tyre në institucionet korrektuese.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai vendos theks të veçantë në respektimin e rendit dhe disiplinës, komunikimin korrekt me stafin dhe personat e tjerë të burgosur, shmangien e dhunës, kërcënimeve dhe konflikteve, respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të të tjerëve, si dhe bashkëpunimin në proceset e sigurisë, rehabilitimit dhe riintegrimit.

Ndërsa udhëzuesi për pushimet jashtë institucionit përcakton mënyrën e zbatimit dhe vlerësimit të kritereve për shfrytëzimin e këtij beneficioni. Vlerësimi bëhet në mënyrë individuale, objektive dhe profesionale, duke u bazuar në të dhëna konkrete dhe të verifikueshme, si dhe në vlerësimin e rrezikut.

Në këtë proces merren parasysh vepra penale për të cilën personi është dënuar, qëndrimi ndaj veprës penale, sjellja gjatë vuajtjes së dënimit, respektimi i rregullave të institucionit, pjesëmarrja në programet rehabilituese, niveli i përgjegjësisë dhe besueshmërisë, rreziku për sigurinë publike, mundësia e përsëritjes së veprës penale, historiku i tentimeve për arratisje, si dhe rrethanat dhe mbështetja familjare.

Procesi i vlerësimit zhvillohet përmes ekipit multidisiplinar, i cili pas shqyrtimit të të gjitha kritereve, faktorëve dhe rrethanave relevante, interviston personin e dënuar dhe i rekomandon drejtorit të institucionit korrektues aprovimin ose refuzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar merret në bazë të vlerësimit të dokumentuar dhe legjislacionit në fuqi.

Me këto hapa, Shërbimi Korrektues i Kosovës vazhdon të avancojë standardet profesionale në institucionet korrektuese, duke e vendosur në fokus sigurinë dhe disiplinën, krahas rehabilitimit, përgjegjësisë personale dhe përgatitjes së personave të dënuar për riintegrim në shoqëri.

Burimi: Bota Sot