Koci: Arrestimet në Serbi po shtohen, institucionet e Kosovës nuk po

0%

Avokati Arianit Koci ka kërkuar angazhim më të madh institucional për mbrojtjen e shtetasve të Kosovës që arrestohen në Serbi, duke thënë se autoritetet e Kosovës duhet të koordinohen më seriozisht për këto raste.

Koci ka deklaruar se, bazuar në përvojën e tij ndër vite në mbrojtjen e personave të arrestuar në Serbi, ka krijuar përshtypjen se arrestimet shpesh ndodhin në periudha kur në Kosovë dalin në pah dëshmi të reja për krimet e kryera nga forcat serbe. “Shteti duhet dhe mundemi me bë shumë më tepër.

Sa herë në Kosovë zbulohet një varrezë masive apo dalin prova të reja për krimet e forcave serbe, Serbia reagon edhe me arrestime të shtetasve tanë”, ka shkruar Koci. Sipas tij, përmes këtyre rasteve synohet të krijohet narrativa se krime kanë kryer të dyja palët.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Koci ka bërë të ditur se tashmë edhe vetë është përballur me pengesa nga autoritetet serbe për shkak të angazhimit të tij në këto raste. “Tri herë jam ndaluar edhe duke udhëtuar me veturë diplomatike, në praninë e shefit të Zyrës së Kosovës në Beograd. Po iu pengon angazhimi im. Nuk frikësohem. Por në këto rrethana ky angazhim duhet me u koordinu me shtetin”, ka deklaruar ai.

Avokati ka sqaruar se, ndonëse si avokat nga Kosova nuk mund ta ushtrojë profesionin në Serbi, ai mund të koordinojë mbrojtjen, të këshillojë avokatët atje dhe të ndihmojë me prova e argumente. Koci ka thënë se në shumë raste ku ka qenë i përfshirë, personat e arrestuar janë liruar.

Për këtë arsye, ai i ka ofruar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës shërbimet e tij falas dhe ka paraqitur propozime konkrete për mbrojtjen juridike të të arrestuarve. Megjithatë, sipas tij, në vend të koordinimit ka hasur në neglizhencë, mungesë interesi dhe bartje të përgjegjësisë.

“Madje, propozimet janë refuzuar në mënyrë joformale, si pa bazë juridike, nga persona që nuk janë fare juristë”, ka thënë Koci. Ai ka kritikuar edhe deklaratat publike të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, lidhur me personat e arrestuar, duke pretenduar se ndaj tyre bëhen deklarime para se të vendosë gjykata.

Sipas Kocit, kjo cenon prezumimin e pafajësisë, ushtron presion mbi drejtësinë në Serbi dhe mund të rrezikojë sigurinë e shqiptarëve të arrestuar në burgjet serbe. “Problemi tjetër është raporti me familjet. Shpesh duhet me shku disa herë në Ministri. Kur bëjnë presion përmes mediave, interesimi institucional rritet.

Ministri duhet me i pritë, me ua dëgju hallin dhe me ua tregu çka po bën shteti”, ka shkruar ai. Koci ka veçuar edhe shefin e Zyrës së Kosovës në Beograd, Jetish Jasharin, për të cilin ka thënë se po bën “punë të madhe me mundësi të kufizuara”.

Sipas tij, Jashari është i vetëm në këtë zyrë, ndonëse marrëveshja parasheh dy diplomatë, ndërsa vetura zyrtare e zyrës ka rreth 700 mijë kilometra. “Kjo është një prej pikave tona diplomatike më të vështira dhe më të rëndësishme. Prandaj, kjo neglizhencë ndaj asaj zyre, nuk duhet të ndodhë”, ka deklaruar Koci.

Në fund, avokati ka theksuar se çështja, sipas tij, është më e gjerë sesa fati i një qytetari të vetëm të arrestuar. “Krejt kjo situatë është më e madhe se fati i një qytetari të arrestuar”, ka përfunduar Koci.

Burimi: Telegrafi