Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Vezir Hazirajt, i dyshuar për veprat penale vrasje e mbetur në tentativë, mbajtje të paautorizuar të armëve dhe kanosje. Kërkesa për paraburgim është paraqitur pas përfundimit të seancës dëgjimore, ndërsa vendimi për masën e sigurisë pritet të merret nga Gjykata.
Prokurorja Saide Gashi ka bërë të ditur se Prokuroria gjatë seancës ka paraqitur para gjykatës arsyet dhe bazat mbi të cilat është mbështetur kërkesa për caktimin e paraburgimit. “Prokuroria sapo e përfundoi seancën dëgjimore të lidhur me caktimin e masës apo vendosjen lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin.
Kemi dhënë shkaqet, arsyet për krejt bazat e kërkesës dhe tani presim vendimin e gjykatës, edhe pse mbrojtja nuk e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për masën e caktimit”, ka deklaruar Gashi. , ngjarja ka ndodhur më 7 gusht në fshatin Orroberdë të Istogut, pas një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarit dhe Dardan Haxhijajt.
Haziraj dyshohet se ka shtënë me një pushkë gjuetie të modifikuar në drejtim të Haxhijajt, duke e qëlluar në kofshë dhe duke i shkaktuar, sipas Prokurorisë, lëndime të rrezikshme për jetën. Pas incidentit, i dyshuari dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka qëndruar në arrati deri më 15 gusht.
Gjatë kohës sa ishte në arrati, ai dyshohet se ka publikuar edhe mesazhe me përmbajtje kërcënuese ndaj zyrtarëve policorë. Prokuroria, mbi bazën e rrethanave të rastit dhe dyshimeve të ngritura, ka kërkuar që ndaj Hazirajt të caktohet masa e paraburgimit.
