Banorët ankohen për qentë endacakë në Matiçan, asamblisti kërkon

0%

Prania e qenve endacakë në disa rrugë të lagjes Matiçan në Prishtinë ka ngritur shqetësime te disa banorë të kësaj zone, ndërsa një asambleist i Kuvendit Komunal thotë se i është drejtuar Komunës së Prishtinës me kërkesë për ndërhyrje, por se ende nuk ka marrë përgjigje.

Qentë janë parë në rrugët “Hana Spahiu”, “Ridvan Qazimi” dhe “Abush Loku”, ku banorë të zonës thonë se ata qëndrojnë në grupe. Banori Rexhep Morina ka thënë për KALLXO.com se personalisht nuk ka pasur probleme me qentë dhe se, sipas tij, shumica prej tyre janë të shoqërueshëm.

Ai thotë se situata bëhet më problematike kur fëmijë nga lagjet përreth i ngacmojnë ose i gjuajnë qentë me gurë, duke bërë që ata të reagojnë. “Me ta nuk kam pasur kurrë problem. Qentë janë shumë të shoqërueshëm. Fëmijët e mahallave tjera vijnë këtu dhe i gjuajnë me gurë. Këta qentë kështu aktivizohen, mendojnë se po i sulmon dikush dhe fillojnë të lehin” – ka thënë Morina për KALLXO.com.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas tij, deri më tani nuk ka pasur raste që këta qen t’i kenë sulmuar fëmijët në lagje. Morina tregon se disa prej banorëve kujdesen për qentë duke u dhënë ushqim dhe ujë. “Madje edhe vetë unë i ushqej. Jemi si gjysmë-gjysmë me ta” – ka shtuar ai. Asamblisti thotë se mori ankesa nga banorët Ndryshe nga Morina, disa banorë të zonës kanë shprehur shqetësim për praninë e qenve endacakë.

Asamblisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Besart Krasniqi, ka thënë për KALLXO.com se para disa javësh ka pranuar ankesë nga banorë të kësaj pjese të Matiçanit. Pas ankesës, Krasniqi thotë se i është drejtuar Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës, duke kërkuar ndërmarrjen e masave për trajtimin e problemit.

Megjithatë, sipas tij, deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga Komuna. “Fatkeqësisht, ky problem është i pranishëm në tërë territorin e Prishtinës. Jo, nuk kam pranuar përgjigje nga Komuna” – ka thënë Krasniqi për KALLXO.com. Ai e ka kritikuar mënyrën se si Komuna e Prishtinës po e trajton çështjen e qenve endacakë.

Sipas Krasniqit, Komuna ka qenë neglizhente ndaj këtij problemi si në mandatin e parë, ashtu edhe në mandatin e dytë të qeverisjes së kryetarit Përparim Rama. Ai ka vlerësuar se mosadresimi i problemit paraqet rrezik veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit, por edhe për banorët në përgjithësi.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Komunës së Prishtinës për situatën në Matiçan dhe për masat që janë ndërmarrë për trajtimin e problemit me qentë endacakë. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Komuna nuk ka kthyer përgjigje. Peticion për trajtimin e problemit me qentë endacakë Çështja e qenve endacakë nuk është ngritur vetëm në Prishtinë.

Më , një grup qytetarësh ka nisur një peticion online përmes të cilit kërkohet ndërmarrja e masave të menjëhershme institucionale për adresimin e problemit të qenve endacakë në vend.

Sipas iniciuesve, peticioni synon të nxisë koordinim ndërmjet institucioneve të nivelit qendror dhe lokal, pasi ata konsiderojnë se politikat e deritanishme të zbatuara nga komunat nuk kanë sjellë një zgjidhje të qëndrueshme. Përmes peticionit kërkohet një qasje afatgjatë, e cila, sipas iniciuesve, duhet të garantojë njëkohësisht sigurinë e qytetarëve dhe trajtimin human të kafshëve.

Iniciuesit kanë theksuar se kërkesat e tyre nuk synojnë cenimin apo keqtrajtimin e kafshëve. “Përkundrazi, kërkojmë implementimin e politikave dinjitoze dhe efektive” – thuhet në njoftimin e tyre.

Peticioni u është drejtuar Presidencës së Kosovës, Kuvendit, Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kryetarëve të komunave. Nga këto institucione është kërkuar që të ndërmarrin veprime të koordinuara dhe të qëndrueshme për adresimin e problemit.

Rreziku nga qentë endacakë është ngritur si shqetësim edhe pas rasteve të sulmeve ndaj qytetarëve. Më , një grua ishte sulmuar nga qentë endacakë brenda oborrit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. E sulmuara ishte një doktoreshë shtatzënë, ndërsa rasti ishte konfirmuar nga zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka një program përmes të cilit ofron nga 50 euro në muaj për personat që marrin përsipër strehimin e një qeni endacak. Megjithatë, mënyra e zbatimit të këtij programi dhe kushtet në të cilat mbahen disa prej qenve të adoptuar kanë ngritur shqetësime, përfshirë pretendime se disa prej tyre po mbahen në kushte të papërshtatshme dhe johigjienike.

Burimi: Kallxo