Juventus po shqyrton disa alternativa për përforcimin e mesfushës dhe në listë ka përfunduar edhe Marcelo Brozoviç. Mesfushori kroat aktualisht është lojtar i lirë, pas përfundimit të aventurës së tij me Al Nassr në Arabinë Saudite. Brozoviç u largua nga Inter në verën e vitit 2023, pas një periudhe të gjatë në klubin zikaltër.
Në Arabinë Saudite, ai luajti përkrah Cristiano Ronaldos në Saudi Pro League. Tashmë, 33-vjeçari është në kërkim të një skuadre të re dhe mund të rikthehet në Serie A. Sipas La Stampa, agjentët e tij kanë zhvilluar kontakte me drejtuesit e Juventusit gjatë ditëve të fundit. Bisedimet fillimisht kanë pasur në fokus çështje të tjera, por gjatë tyre Juventusit i është propozuar edhe Brozoviç.
Kroati mund të transferohet pa pagesë, pasi nuk është i lidhur me asnjë klub me kontratë. Në listën e alternativave të Juventusit ndodhet edhe Franck Kessie, një tjetër ish-mesfushor i Serie A. Edhe Kessie është aktualisht lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Al Ahli. Megjithatë, Juventus nuk planifikon të afrojë një tjetër mesfushor pa bërë më parë largime.
Arthur, Fabio Miretti dhe Teun Koopmeiners janë ndër emrat që mund të largohen nga Torino. Vetëm pas krijimit të hapësirës në skuadër dhe në aspektin financiar, bardhezinjtë mund të lëvizin për një mesfushor të ri. Brozoviç dhe Kessie mbeten mundësi interesante, pasi mund të afrohen pa tarifë transferimi, por gjithçka varet nga largimet.
