Një situatë e pazakontë dhe mjaft komike është regjistruar në një sallë pritjeje të një spitali në Chongqing të Kinës, ku dy burra përfunduan në një situatë që vështirë se e kishin imagjinuar. Gjithçka nisi kur njërit prej tyre i ngeci koka mes mbështetëses së shpinës dhe krahëve të një karrigeje. Burri tentoi disa herë të çlirohej, por pa sukses.
Shoku i tij vendosi të ndërhynte për ta ndihmuar dhe, në stilin klasik të një personi që thotë “prit, të tregoj unë si bëhet”, u përpoq t’i demonstronte mënyrën për ta nxjerrë kokën. Por përpjekja mori një kthesë të papritur. Teksa po përpiqej ta ndihmonte shokun, edhe atij i ngeci koka në të njëjtën mënyrë.
Situata u kthye në një skenë edhe më absurde, ndërsa të dy burrat mbetën të bllokuar në karrige dhe nuk mundën të çliroheshin vetë. Në fund, sigurimi i spitalit u detyrua të ndërhynte për t’i liruar të dy. Momenti u filmua dhe videoja u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime dhe komente humoristike.
