Rreth 5 mijë nxënës më pak se vitin e kaluar pritet të regjistrohen në klasat e para në Maqedoninë e Veriut, në vitin e ri shkollor. Shifrën e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila është shprehur e shqetësuar për rënien e numrit të nxënësve në vend. “Më vjen keq që duhet ta them, por ky është fakt, këtë e ka publikuar edhe Enti i Statistikave.
Bëhet fjalë për rreth 4 mijë e 900 nxënës të klasës së parë më pak, nga viti i kaluar deri këtë vit. Këtë trend e presim edhe vitin e ardhshëm, gjë që është dëshpëruese për këtë vend ”, tha Javenska. Eksperti për çështje të arsimit, Satki Ismaili, vlerëson se këtë vit shkollor do të ketë rreth 150 paralele më pak se vitin e kaluar.
Sipas tij, rënia e dukshme e numrit të nxënësve është kryesisht pasojë e uljes së natalitetit në Maqedoninë e Veriut. “Këtë vit shkollor pritet që rreth 20 shkolla, sidomos në viset rurale, të mbyllen, për shkak se numri i nxënësve është aq i vogël. Ka paralele me një nxënës, dy nxënës, të cilat janë një problem për çështjen e socializimit, edukimit dhe arsimimit të fëmijëve.
Pikërisht diçka e tillë po ndodh dhe është me rëndësi që strategjitë arsimore në nivel shtetëror, që kanë të bëjnë me çështjen e arsimit, duhet të jenë në vazhdimësi, pavarësisht se kush është në pushtet” , tha ai. Sipas Ismailit, rënie të numrit të nxënësve ka si në vendbanimet shqiptare, ashtu edhe në ato maqedonase. “Jo, nuk është vetëm te pjesa shqiptare.
Kjo dukuri është edhe në Maqedoninë lindore. Është e njëjta brengë. Por edhe në pjesët periferike shqiptare, ku popullata po shpërngulet, ka lëvizje demografike drejt qyteteve, ndërsa edhe emigrimi jashtë vendit po e bën të vetën”, tha ai. Statistikat tregojnë se gjatë dekadës së fundit, numri i nxënësve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për më shumë se 30 mijë.
