Egnatia do të përballet javën e ardhshme me Lillestrøm në play-off-in e Ligës së Europës. Norvegjezët konsiderohen një kundërshtar i fortë, pasi siguruan pjesëmarrjen në këtë turne falë fitimit të Kupës së Norvegjisë. Megjithatë, forma e fundit e Lillestrøm nuk është aspak bindëse. Skuadra norvegjeze ka humbur kontaktin me grupin e ekipeve që luftojnë për titull në kampionat.
Lillestrøm nuk ka arritur të fitojë në katër ndeshjet e fundit të kampionatit. Pas tri humbjeve radhazi, skuadra ka marrë sot një tjetër rezultat zhgënjyes. Norvegjezët barazuan 1-1 në transfertën ndaj KFUM Oslo, ekip që lufton për mbijetesë. Lillestrøm kaloi në avantazh në fillimin e pjesës së dytë me golin e Felix Va. Megjithatë, vendasit arritën të barazonin në minutën e 83-të.
Ky rezultat e zgjat serinë negative të kundërshtarit të Egnatias në kampionat. Forma e dobët e norvegjezëve mund t’u japë rrogozhinasve më shumë besim për përballjen europiane. Egnatia ka treguar edhe më herët se është në gjendje të përballet me kundërshtarë të fortë në arenën ndërkombëtare. Tashmë skuadra shqiptare synon të shfrytëzojë momentin e vështirë të Lillestrøm.
Rrogozhinasit kërkojnë një tjetër surprizë në Europë dhe një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë të play-off-it.
