Një 48-vjeçar shqiptar, i kërkuar nga autoritetet shqiptare në lidhje me një vrasje të kryer rreth dy dekada më parë, është arrestuar në Filothei, në veri të Athinës.
Lajmin e ka bërë të ditur policia greke të premten, duke njoftuar se ndaj shtetasit shqiptar ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar. 48-vjeçari dyshohet se është i përfshirë në vrasjen me armë zjarri të një burri, e kryer në Tiranë në vitin 2006.
Pas arrestimit në zonën e Filotheit, i dyshuari është dërguar në prokurorinë e Athinës, ndërsa kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Autoritetet pritet të vijojnë procedurat ligjore për të përcaktuar hapat e mëtejshëm në lidhje me kërkesën për ekstradim dhe çështjen penale.
