Shkëndija e Tetovës e përfundoi paraqitjen e saj evropiane për këtë sezon në raundin e tretë kualifikues të Conference League në futboll. Kuqezinjtë patën një paraqitje dukshëm më të dobët krahasuar me sezonin e kaluar, kur arritën të kalonin edhe fazën e grupeve të këtij kompeticioni, vazhduan garat në pranverë dhe luajtën në 1/16 e finales së Conference League.
Rrjedhimisht, edhe në aspektin financiar, tetovarët këtë sezon përfituan shumë më pak në krahasim me vitin e kaluar. Shkëndija këtë vit nga garat evropiane fitoi saktësisht 1.075 milionë euro, po aq sa gjiganti ukrainas Dinamo e Kievit. Në listën e klubeve që i përfunduan garat me të njëjtën shumë të ardhurash janë edhe Bohemians, Dinamo Minsk, RFS Riga dhe të tjera.
Dy përfaqësuesit e tjerë maqedonas në garat evropiane këtë verë fituan shuma më të vogla. Vardari arkëtoi 960.000 euro, ndërsa Sileksi – 325.000 euro.
Sipas sistemit të UEFA-s për shpërndarjen e fondit të shpërblimeve, klubet përfitojnë nga 175.000 euro për çdo raund kualifikues të zhvilluar, ndërsa në vazhdim marrin edhe një bonus për eliminimin, në varësi të fazës në të cilën përfundojnë paraqitjen.
Eliminimi i Shkëndijës në raundin e tretë i solli klubit tetovar një bonus shtesë prej 550.000 eurosh, kështu që shuma totale e përfituar nga garat evropiane këtë sezon arriti në 1.075.000 euro.
