Banorët e Dragashit, në jug të Kosovës, protestuan këtë javë pasi për gati dhjetë ditë u përballën me furnizim jo të rregullt me ujë të pijshëm. Reduktimet e ujit gjatë verës janë problem i përsëritur në disa zona të Kosovës.
Eksperti i ujërave, Skender Bublaku, thotë se Kosova ka resurse të mjaftueshme për të siguruar furnizim të qëndrueshëm, por se ato nuk po menaxhohen siç duhet, shkruan Evropa e Lirë . Sipas tij, vetëm rreth 15 për qind e ujërave sipërfaqësore shfrytëzohen, dhe rreth 15 për qind janë të akumuluara. “Shkalla e humbjeve të ujit është mbi 55 për qind.
Gjatë vjeshtës, dimrit, pranverës, pjesa më e madhe e ujërave rrjedhin, ecin nga territori i Kosovës dhe nuk rezervohen”, thotë ai. Pse vera e përkeqëson situatën? Bublaku thotë se problemet janë më të theksuara në komunat që varen nga burimet ujore pa akumulime.
“Gjatë sezonit të verës – korrik, gusht, shtator – këto resurse ujore, që janë direkt pa akumulime, nuk garantojnë sasinë minimale të ujit që është e nevojshme”, shpjegon ai. Bublaku përmend Ferizajn – i cili e merr ujin drejtpërdrejt nga lumi – Pejën, si dhe Kamenicën, dhe zona të tjera, që varen nga ujërat nëntokësore ose rrjedhat lumore.
Ndërprerjet e ujit shpesh shoqërohen me arsyetime për prishje teknike, turbullira në burime ose probleme me cilësinë e ujit. Bublaku thotë se defektet teknike mund të ndodhin në çdo sistem, por kur të njëjtat probleme përsëriten për vite me radhë pa u zgjidhur, problemi sipas tij është tek menaxhimi.
Digat si zgjidhje afatgjatë Bublaku thotë se Kosova ka nevojë për investime afatgjata në akumulimin e ujit, përfshirë ndërtimin e digave. Partia fituese e zgjedhjeve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje, ka premtuar ndërtimin e pesë digave të ujit në mandatin e ardhshëm qeveritar. “Unë do të isha i kënaqur një digë ta kemi, ta ndërtojmë, të paktën ta fillojmë me një”, thotë Bublaku.
Megjithatë, ai thekson se ndërtimi i digave nuk është zgjidhje që mund të realizohet brenda një mandati qeverisës. Çfarë rreziku paraqet ndryshimi i rrjedhës së Ibrit? Në podkastin 5 pyetje, eksperti i ujërave u pyet edhe për deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Bublaku beson se deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit janë më shumë presion politik sesa një plan konkret. “Unë nuk e shoh si problem specifik real, ose diçka që pritet të ndodhë, por mendoj se Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme, ta monitorojë”, thotë ai.
Por, nëse diçka e tillë ndodh, sipas Bublakut do të dëmtonte rëndë infrastrukturën e ujit të Kosovës, e cila e përfshin pothuajse pjesën më të madhe të Kosovës qendrore
