Në Maqedoninë e Veriut është shënuar 25-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, dokumenti që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe që vazhdon të konsiderohet një nga themelet e stabilitetit politik dhe ndëretnik të vendit.
Me rastin e këtij përvjetori, Qeveria mbajti një seancë solemne, ku u theksua rëndësia e marrëveshjes dhe përgjegjësia e institucioneve për ruajtjen e stabilitetit dhe avancimin e marrëdhënieve ndëretnike.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se Marrëveshja e Ohrit është pjesë e realitetit politik dhe institucional të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se vëmendja tani duhet të përqendrohet te sfidat e së ardhmes. Ai bëri thirrje që dallimet etnike të mos përdoren si mjet për përçarje politike.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali tha se përvoja e 25 viteve të fundit ka dëshmuar se stabiliteti ndërtohet përmes dialogut, komunikimit, kompromisit dhe respektimit të marrëveshjeve. Për përvjetorin kanë reaguar edhe partitë politike shqiptare.
BDI deklaroi se rruga drejt Brukselit kalon përmes Ohrit, duke theksuar se pa barazi, demokraci funksionale, marrëdhënie të qëndrueshme ndëretnike dhe respektim të marrëveshjeve nuk mund të ketë të ardhme evropiane. Në anën tjetër, VLEN theksoi se Marrëveshja e Ohrit është rezultat i sakrificës së një gjenerate të tërë dhe se ajo nuk është pronë private e asnjë subjekti politik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!