KF Prishtina e Re ka mirëpritur ish-futbollistin dhe trajnerin e njohur gjerman, Felix Magath, i cili vizitoi kampin stërvitor dhe ambientet e klubit. Magath është një prej figurave të njohura të futbollit gjerman. Si futbollist, ai fitoi Kupën e Kampionëve me Hamburgun në vitin 1983, ndërsa si trajner fitoi tituj të Bundesligës me Bayern Munich dhe Wolfsburg.
Me Wolfsburgun, ai realizoi një prej sukseseve më të mëdha të karrierës, duke e shpallur kampion të Gjermanisë në vitin 2009. Gjatë vizitës në Prishtina e Re, Magath u takua me presidentin Rrustem Pacolli, nënkryetarin Driton Gërxhaliu dhe drejtorin gjeneral Sami Boroci. Në takim u diskutuan mundësi bashkëpunimi, veçanërisht për zhvillimin e talenteve të Akademisë së klubit.
Vizita e Magath në Kosovë u mundësua nga afaristi kosovar Isak Neziri.
