Autoriteti i Mediave Audiovizive ka paralajmëruar publikun për një skemë mashtruese të lidhur me aplikacionin pirat “AlbKanale”, i cili, sipas AMA-s, shpërndante pa autorizim përmbajtje televizive dhe paketa të mbrojtura me të drejta autori. AMA njofton se aplikacioni është bllokuar më , pas një procesi monitorimi dhe analizimi teknik të kryer nga grupet e inspektimit të institucionit.
Në fokus të ndërhyrjes kanë qenë transmetimet e paautorizuara të paketave të Digitalb dhe Tring, kanaleve të TV Klan dhe RTSH, si dhe përmbajtjeve sportive.
Pas ndërprerjes së shërbimit, operatorët e “AlbKanale” kanë pretenduar se kanë qenë viktima të një sulmi kibernetik dhe u kanë kërkuar përdoruesve të kontribuojnë financiarisht për rikthimin e shërbimit, përfshirë pagesa në kriptomonedha.
Nisur nga kjo situatë Autoriteti i Mediave Audiovizive paralajmëron qytetarët të mos dërgojnë fonde në adresë të tyre sepse “AlbKanale” nuk është jashtë funksionit për shkak të një sulmi kibernetik, por si rezultat i ndërhyrjes së AMA-s ndaj një shërbimi që transmetonte përmbajtje pa të drejta.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi u bën thirrje përdoruesve të mos kryejnë pagesa apo kontribute në kriptomonedha, duke argumentuar se transaksione të tilla janë të pakthyeshme dhe se financimi i shërbimeve pirate mbështet një aktivitet të kundërligjshëm.
Procesi që kryejnë ekipet e inspektimit përfshijnë; monitorimin e trafikut të rrjetit, analizimin e rrjedhës së transmetimeve, identifikimin e serverëve burimorë dhe bashkëpunimin me operatorë ndërkombëtarë për raportimin e shkeljeve.
Autoriteti i Mediave Audiovizive përsërit angazhimin për vijimin e luftës kundër piraterisë audiovizive dhe u kërkon qytetarëve të zgjedhin operatorë dhe shërbime të licencuara.
