Ndeshja e parë zyrtare e sezonit të ri ka konfirmuar një tendencë që u shfaq edhe gjatë sezonit të kaluar dhe në Kupën e Botës: dominimin e trajnerëve spanjollë në futbollin evropian dhe botëror. Paris Saint-Germain i drejtuar nga Luis Enrique fitoi Superkupën e Evropës ndaj Aston Villës së Unai Emery, duke e nisur sezonin me një tjetër trofe të rëndësishëm.
Suksesi i Luis Enriques vjen pas një fundsezoni të jashtëzakonshëm. Në ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar, trajneri spanjoll udhëhoqi PSG-në drejt triumfit në Champions League, duke mposhtur Arsenalin e Mikel Artetës, skuadër që kishte fituar më parë Premier League-n. Këto suksese kanë forcuar edhe më shumë supremacinë e trajnerëve iberikë në futbollin e nivelit të lartë.
Madje, spanjollët kanë arritur të kalojnë italianët për numrin e trofeve evropiane të fituara nga trajnerët. Sipas statistikave të publikuara, trajnerët spanjollë kanë fituar në total 47 trofe evropianë, të siguruar nga 20 trajnerë të ndryshëm. Në krahun tjetër, trajnerët italianë kanë grumbulluar 43 trofe evropianë, të fituar nga 18 teknikë.
Pra, pas shumë vitesh ku Italia konsiderohej një nga shkollat më të mëdha të trajnimit në botë, 2026 ka sjellë një ndryshim të rëndësishëm në hierarki.
Luis Enrique, Arteta dhe Emery janë vetëm disa prej emrave që kanë kontribuar në këtë periudhë të artë të trajnerëve spanjollë, duke e bërë gjithnjë e më të fortë pretendimin se shkolla spanjolle e trajningut është aktualisht në majë të futbollit evropian.
