Berat Gjimshiti prej dy ditësh është transferuar në Arabinë Saudite, ku është prezantuar nga klubi i Al Diriah dhe ka bërë edhe stërvitjet e para në radhët e kësaj skuadre.
Por ajo që bie në sy është se ndonëse klubi arab e ka prezantuar atë zyrtarisht, si dhe vetë Gjimshiti i ka dhënë lamtumirën Bergamos me postime në rrjetet sociale, vetë klubi I Atalantës nuk ka bërë një lajmërim zyrtar siç ndodh zakonisht. Shumë tifozë kanë mbetur të çuditur se pse Atalanta nuk ka bërë një postim të tillë, pasi mes palëve nuk ka pasur një ”ndarje armiqësore”.
Por portalet pranë klubit kanë mësuar se bëhet fjalë vetëm për një problem burokratik. Rezulton se procedurat burokratike për transferimin e Gjimshitit nuk kanë përfunduar ende dhe se sapo ato të mbyllen, klubi do të bëjë zyrtar regjistrimin e transferimit edhe në Ligën Italiane.
Vetëm pas mbylljes së këtyre procedurave, do të bëjë njoftimin zyrtar për largimin e lojtarit i cili ka shkruar historinë me këtë klub e shpesh ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.
