Dy familje në fshatin Qusra, pranë Nablusit në Bregun e pushtuar Perëndimor, raportohet se po mbahen të rrethuara në shtëpitë e tyre nga një grup kolonësh izraelitë që nga e diela. Familjet Abu Ridi dhe Hassan kanë kërkuar ndihmë përmes rrjeteve sociale, duke thënë se u janë ndërprerë furnizimet me ujë dhe energji, ndërsa rezervat e ushqimit po u pakësohen.
Sipas BBC-së, forcat izraelite të sigurisë u tërhoqën të mërkurën nga zona pas përleshjeve me një turmë kolonësh ekstremistë, ndërsa rreth 12 prej tyre raportohet se vazhdojnë të qëndrojnë atje. Pas raportimit të rastit te ushtria izraelite, disa nga ushtarët e parë që mbërritën në vendngjarje janë filmuar duke u lutur së bashku me kolonët.
Organizatat për të drejtat e njeriut u kanë bërë thirrje autoriteteve izraelite të ndërhyjnë për t’u ardhur në ndihmë familjeve. Ngjarja vjen në një kohë të tensioneve të shtuara në Bregun Perëndimor, ku një zyrtar i lartë i OKB-së paralajmëroi këtë javë në Këshillin e Sigurimit se situata ka arritur në një “pikë thyerjeje”.
Vendbanimet izraelite në territorin e pushtuar konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
